Lajçak, mos e bëjë avokatin e djallit!

Myzejene Selmani

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, mendon se Kushtetuta e Kosovës duhet të ndryshohet duke përfshirë asociacionin dhe statusin e komunitetit serb.

BE nuk po i trajton në mënyrë të barabartë palët në bisedime, për shkak të mos njohjes së Kosovës nga ana e pesë vendeve të BE.

Mirëpo deklarata e Lajçak është një ndërhyrje në sovranitetin e Kosovës. Sipas nenit 2 pika 2 e Kushtetutës, sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm dhe mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara me këtë Kushtetutë dhe me ligj.

Lajçak duhet të kuptojë se roli i tij është lehtësues i dialogut për të ardhur deri te normalizimi i raporteve midis dy vendeve.

Kosova ka dhënë mjaft me planin Ahtisari që është përfshirë në Kushtetutën e Kosovës, ndërkohë që pala serbe nuk e ka njohur këtë plan.

Nëse është dashur Lajçak të kërkojë ndryshime, atëherë është dashur që të kërkojë pikërisht ndryshimin e preambullës së Kushtetutës të Serbisë.

E dyta, para këtyre bisedimeve është dashur që nga Serbia të kërkohet të përmbushë kapitullin 31 e BE të mos lejojë të bie nën presionin e vendeve të treta mike të Serbisë në dëm të Kosovës.

Është i habitshëm fakti të lëshohet një deklaratë e tillë nga një diplomat i cili vjen nga një ish-shtet i cili në mënyrë të qetë dhe demokratike e ka përfunduar divorcin me Çekinë.