‘Loja’ me popullin në kohë pandemie

Numër i konsiderueshëm i qytetarëve dje kanë pritur para njësive postare për të tërhequr ndihmën prej 130 euro, nga masa nr. 15, pasi ishin njoftuar paraprakisht përmes një SMS-je.

Bëhet fjalë për persona që kanë aplikuar për këtë ndihmë. Të tillë kishte edhe në Gjilan.

Një qytetare tha se ishte gëzuar shumë kur e mori mesazhin për të shkuar në postë e për ta tërhequr ndihmën prej 130 euro.

“Shkova me mëngjes në postë, pasi që kisha aplikuar në këtë pako me kohë dhe kur arrita te sporteli më thanë se paratë nuk kishin ardhur ende, por kthehu nesër”, tregon ajo.

Të nesërmen, më 12 gusht, asaj i vjen mesazhi tjetër, ku thuhet se mesazhi që kishte marrë më 11 gusht ishte gabim, sepse kërkesa i është refuzuar.

“Nëse jam refuzuar, është dashur të njoftohem me kohë. Nuk ia kemi borxh qeverisë këtë lojë me ne nevojtarët”, shprehet ajo e revoltuar.

Qeveria po luan me popull në kohë pandemie, thotë një qytetar tjetër, po ashtu i zhgënjyer./mediafokus.info