Lulëkuqja përmban vlera të hatashme shëruese, cilat janë ato?

Lulëkuqja ishte një nga lulet më të preferuara të Venusit, perëndeshës romake të bukurisë dhe dashurisë. Prej shekujsh lulëkuqet janë pranuar si simbol i qetësisë, gjumit dhe paqes.

Në vendin tonë deri sot lulëkuqja nuk është kultivuar, por është rritur në mënyrë të pavarur si bimë e egër.

Burimet e AgroWeb.org tregojnë se duke parë kërkesat e tregut për lulëkuqen, kultivimi i saj është me leverdi ekonomike.

Tani, lulëkuqja është e përhapur dhe rritet e zhvillohet thuajse kudo në tokat shqiptare.

Kërcinjtë e lulëkuqeve janë përdorur nga amvisat shqiptare si pjesë e grupit të barërave të egër në përgatitjen e byrekut të famshëm me lakra të egra së bashku me hithrat dhe lëpjetat.

Lulëkuqja fuqizon sistemin imunitar, mbron shëndetin e zemrës, forcon kockat, rrit qarkullimin e gjakut dhe ndihmon tretjen.

Por lulet e vogla të kuqe përmbajnë fara që janë të mbushura plot me minerale, substanca të shëndetshme.

Farat magjike sot i gjejmë në shumë ushqime të përgatitura me vaj lulëkuqeje ose fara siç janë: paninet, salcat, sallatat, supat, buka dhe ëmbëlsirat.

Këto fara të vogla nga një lule që të themi të drejtën nuk ta mbush shumë mendjen janë shumë të fuqishme.

Doza të vogla të këtyre farave mund të kenë një efekt të jashtëzakonshëm në trup.

Efekti qetësues

Nëse konsumon fara lulëkuqeje, atëherë mund të zbusësh dhimbjet veçanërisht ato të kokës dhe të përshpejtosh procesin e shërimit. Farat janë të pasura me zink dhe si rrjedhojë ndihmojnë metabolizmin për të përshpejtuar procesin e rimëkëmbjes.

Fuqizon sistemin imunitar

Studime të shumta kanë provuar lidhjen që ekziston mes zinkut dhe sistemit imunitar. Zinku që gjendet me bollëk në çdo farë lulëkuqeje arrin të stimulojë prodhimin e qelizave të bardha të gjakut dhe të forcojë reagimet e trupit ndaj substancave dhe agjentëve të huaj.

Përmirëson shikimin

Me plakjen, sytë tanë fillojnë e na lënë në baltë. Megjithatë kjo nuk duhet të na demoralizojë.  Antioksidantët janë të nevojshëm për të na mbrojtur sytë. I tillë është edhe zinku që gjendet në sasi të mëdha tek lulëkuqja. Zinku e mban shikimin të forte dhe ngadalëson degjenerimin makular që është edhe shkaktari kryesor i humbjes së shikimit tek personat mbi 70 vjeç.

Mbron zemrën

Hekuri është një nga mineralet më të çmuar që gjenden tek lulëkuqja. Siç e dimë, hekuri është një përbërës integral në prodhimin e qelizave të kuqe të gjakut. Kur rrisim dozën e hekurit, ne përmirësojmë qarkullimin e gjakut dhe si rrjedhojë nivelin e oksigjenit në pjesët më vitale të trupit. Nëpërmjet hekurit, ne zvogëlojmë simptomat e anemisë, marrim më shumë energji dhe përshpejtojmë procesin e shërimit.

Ndihmon me tretjen

Nëse vuani nga konstipacioni ose diarreja, atëherë keni nevojë për më shumë fibër në dietën tuaj. Farat e lulëkuqes kanë një nivel të lartë të fibrës që rregullon lëvizjet e zorrëve në favorin tuaj. Ato kanë ndikim të drejtpërdrejtë në uljen e dhimbjeve dhe inflamacionit dhe lehtësojnë funksionimin e sistemit të tretjes.

Diabeti i Tipit 2

Nivelet e ulëta të zinkut në organizëm janë tregues i rëndësishëm i nivelit të diabetit të tipit 2. Nëse dëshiron të mbrohesh nga kjo epidemi globale, atëherë duhet të shtosh zinkun në dietë. Përse mos të përdorësh fara lulëkuqeje atëherë?!

Funksionet e nervave

Shumë njerëz nuk arrijnë të kuptojnë plotësisht rolin e kalciumit në trupin tonë. Kalciumi është nga të paktët minerale që forcon funksionimin e sistemit nervor. Lulëkuqet kanë një nivel të lartë kalciumi dhe me to mund të bësh një tonik të shijshëm për nervat dhe të mbash larg çrregullimet nervore.

Shëndeti i kockave

Kalciumi është gjithashtu i rëndësishëm për shëndetin e kockave. Kalciumi tek lulëkuqja mund t’ju japë kockave tuaja forcë dhe elasticitet.

Tensioni i gjakut

Kaliumi që gjendet tek farat e lulëkuqes zbut tensionin në arterie dhe promovon një qarkullim sa më normal të gjakut. Një gjë e tillë parandalon zhvillimin e arteriosklerozës dhe sëmundjeve të zemrës./MediaFokus/