Lutfi Haziri akuzon ministrat e VV’së për lirime klienteliste nga karantina në konvikte

Kreu i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka pasur disa kritika për menaxhim të situatës me personat që janë kthyer në Kosovë, teksa ka bërë edhe akuza për lirime klientaliste nga karantina, raporton Gazeta Express.

Haziri në emisionin Frontal në T7 ka deklaruar se kanë pasur numër të madh të personave që kanë bërë kërkesa për t’u kthyer në Kosovë. Ai shton se për asnjë rast nuk ka kërkuar që të tolerohet.

“Ne kemi pasur numrin më të madh të kërkesave që kanë apliku në ambasadë edhe të pensionistëve edhe të rasteve të sëmura, kemi edhe më tutje raste, po s’kemi mundur me deportu. Unë kam familjarët e mi që për shkak të karantinës nuk po kthehen në shtëpi. Unë si kryetar për asnjë rast nuk kam kërkuar tolerim, nuk guxon me rreziku dikush shëndetësinë”, thotë Haziri, teksa shton se është tmerruar kur ka dëgjuar për lirime klientaliste nga konviktet.

“Me ardhjen në aeroport të Agonit misioni im ka qenë i mbyllur, ato që kam kuptuar më vonë për dalje e klientalizëm jam tmerru, sepse djali axhës tim ka qëndruar në konvikt 18 ditë.

Nuk e lejoj rasti me u politizu sepse kam kërkesë edhe nga babi i tij që rasti të zbardhet, s’ka kërkesë me politizu mos e abuzoni emrin e tij por le të del një rast ku ballafaqohet e vërteta, të merret vetëm drejtësia”, shton ai.