Lutfi Haziri: Covid-19 parandalohet vetëm me disiplinë strikte dhe me masa mbrojtëse

Në takimin me emergjencat civile, të kryesuar nga kryetari Lutfi Haziri, ështe konfirmuar një gjendje e qetë dhe pa raste të reja të infektimit sa i përket pandemisë.

“Me ekipin e gjerë të profesionistëve të fushave të ndryshme sot kemi konfirmimin që është një gjendje e qetë në këto ditët e fundit. Mostrat e marra deri tani në kontaktet e të infektuarve të fundit, kanë mbyllur qarkun e mundshëm të infeksionit. Presim që gjendja të jetë vazhdimisht në përmirësim dhe deri tani kemi 49 raste të shëruara plotësisht, 32 raste janë në vetizolim nën mbikëqyrjen e rregullt të emergjencave civile dhe ekipeve mjekësore, por fatkeqësisht kemi dy raste të vdekjes në këtë përballje prej 69 ditëshe”, ka thënë kryetari Lutfi Haziri në adresimin para mediave.

Ai, gjithashtu ka konfirmuar masat lehtësuese në fazën e dytë, ku domimant është sektori i gastronomisë, që mund të funksionoj këto ditë vetëm përmes shërbimit ‘Take away’ mere me vete.

“Në këtë fazë, një numër i madh i restoranteve kanë filluar punën me shërbimin ‘take away’, por një pjesë e tyre kanë nisur keqpërdorimin e kësaj mase lehtësuese. Nuk lejohet qëndrimi në lokale, në oborr, sheshe para lokaleve dhe ulja në restorante. Inspekcioni komunal do të bëj njoftimin e të gjithë operuesve, sikur që edhe do të shqiptojë masat ligjore në këtë fazë të parandalimit të pandemisë”, ka potencuar ai.

Kryetari Haziri ka kërkuar që masat mbrojtëse kundër pandemisë të respektohen strikt, sepse ndryshe rrezikohet kthimi i infeksionit dhe burimi i pestë, i cili do të jetë i dhimbshëm pastaj dhe i papranueshëm.

Përndryshe, sot është marrë një numër i madh i mostrave, ndërkohë po priten rezultatet.