Lutfi Haziri i uron fillim të mbarë SC Gjilanit, e përmend vitin 1945

Pak para fillimit të ndeshjes SC Gjilani – Tre Penne, ka folur kryetari i komunës më të madhe të juglindjes, Lutfi Haziri, raporton Mediafokus.info.

Përpos urimit për fillim të mbarë, kreu i kësaj komune e ka përmendur vitin 1945.

Me gjasë, e ka përsëritur deklaratën e mëhershme rreth vitit të themelimit të kësaj skuadre, që i bie dy vjet para rivalit të përbetuar lokal, Drita.

“SC Gjilani 1945 sonte na përfaqëson në garat europiane. Fillim të mbarë! #Skifterat e Gjilanit #Krenar”, ka shkruar Haziri, në profilin e tij në Facebook, i cili këtij qyteti shpesh i referohet si Kryeqendër e sportit dhe e kulturës.

Në këtë qytet futbolli, pos rivalitetit në fushë, ka gjithnjë debat të zjarrtë jashtë fushave të gjelbërta, nga tifozët e dy skuadrave, Skifterat dhe Intelektualët.

Ndryshe, ndeshja SC Gjilani – Tre Penne, nis sonte në ora 20:00, e vlefshme për parakualifikimet në Europa League./Mediafokus.info/