Lutfi Haziri: Kosova s`ka përvojë dhe as kapacitete teknologjike të organizojë arsim online

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri ka thënë se Kosova nuk ka përvojë dhe as kapacitete teknologjike të organizojë arsim online.

Haziri ka thënë të mërkurën se po shqyrtohen seriozisht tri opsionet e MASH’it, por ka shtuar se nuk është në përgjegjësinë e tyre se cili nga këto opsione do të duhej të implementohet, për normalizim të sistemit të arsimit.

“Unë mbetem i përkushtuar që arsimi duhet të normalizohet me vijueshmëri të rregullt në shkollë, por duhet të gjendet modaliteti që të parandalohet përhapja e infeksionit. Është e paqëndrueshme të pretendohet që mund të ndërtojmë arsim online në Republikën tonë, pa kurrëfarë kapacitete, përvoje e mundësie teknologjike. Edhe ashtu, sistemi arsimor në Kosovë, në rrafshin e vlerësimit të PISA’s, është shumë keq dhe pandemia mund ta përkeqësojë akoma”, ka thënë Haziri, njofton kumtesa komunale, transmeton Mediafokus.info.

Ai ka theksuar se arsimtarët, prindërit, nxënësit dhe institucionet komunale, duhet të mobilizohen në gjetjen e rrugës më të mirë, në mënyrë që testi i pjekurisë, regjistrimi i nxënësve dhe fillimi i shkollës, të normalizohet në kushte pandemie.