Lutfi Haziri publikon pakon e masave të reja kundër Covid-19

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, pas takimit me Shtabin për menaxhimin dhe parandalimin e virusit Covid-19, ka paraqitur pakon e masave të reja të cilat janë ndërmarrë sot me qëllim të rritjes së efikasitetit në kontrollin e situatës.

Ai ka potencuar se sot është bërë vlerësimi i gjendjes në 24 orët e fundit dhe është ndërmarrë pakoja e re e masave që duhet të respektohen nga qytetarët, zyrtarët e shtetit në të gjithë sektorët, pastaj punëtorët dhe bizneset, institucionet fetare, organizimet shoqërore etj.

“Ka një rikthim të lehtë të infeksionit në Komunën e Gjilanit dhe për këtë kemi aktivizuar pakon e re të masave. Kjo ka ardhur për shkak të shpërthimit të rasteve në komunat fqinje dhe në vet kryeqendrën e Kosovës, prandaj bazuar në këtë ne kemi ndërmarrë hapat në funksion të ruajtjes së shëndetit publik dhe mbrojtjen e qytetarëve nga infeksioni i mundshëm apo përhapja e tij më tutje. Në Komunën e Gjilanit janë 25 të infektuar aktivë, në 12 burime të infeksionit, praktikisht në 12 shtëpi. Nga ekipet shëndetësore konfirmohet për simptoma të lehta. Deri më tani, Gjilani ka 98 raste në total që kanë rezultuar pozitivë në gjithë fazën e përballjes me pandeminë, 71 të shëruar plotësisht, derisa fatkeqësisht dy kanë vdekur”, ka thënë kryetari Haziri.

Ai ka njoftuar se sot janë 76 mostra për testim, duke përfshirë edhe ato të ditës së djeshme dhe janë në pritje të rezultateve nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, për ta pasqyruar gjendjen reale dhe, siç ka deklaruar ai, bazuar në monitorimin e gjendjes, po pritet që edhe 13 raste të negativizohen nga këto 25 që i kemi aktive.

Haziri ka bërë thirrje për kujdes maksimal në daljet nga shtëpia, në distancën sociale, në masat mbrojtëse dhe në respektim të vendimit për pakon e re të masave.

“Nga sot hyn në fuqi pakoja e re me masat që duhet të respektohen nga të gjithë, pa dallim. Inspeksioni Komunal në ditën e sotme do të jetë në terren me informim tek subjektet dhe operatorët në mënyrë që veprimet konkrete nga dita e nesërme do të jenë obligative për të gjithë qytetarët”, ka njoftuar ai.

Pako e masave të reja janë si vijon:

1. Urdhërohen kontrollat e vazhdueshme të gastronomëve (kafiteritë dhe restoranteve), Qendrave Tregtare dhe Marketeve mbi respektimin e masave mbrojtëse gjatë orarit të punës për mbrojtjen e shëndetit publik dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19;

2. Hapësirat e kafiterive dhe restoranteve duhet të pajisen me dezinfektues brenda hapësirave të biznesit, të krijohet distanca nga tavolina në tavolinë prej së paku 1.5m. Po ashtu të parandalohet grumbullimi apo mbipopullim i hapësirave shërbyese brenda lokaleve gastronome. Lejohet qendrimi i klientëve sipas numrit të tavolinave, respektivisht numri i karrikave;

3. Personeli shërbyes apo stafi të cilët kanë kontakt të afërt me klientët brenda hapësirave të biznesit, urdhërohet të jenë të pajisur me doreza dhe maska. Kjo pikë e rekomandimit vlenë për të gjitha bizneset e gastronomisë dhe bizneset e tjera shërbyese;

4. Qendrat Tregtare dhe marketet duhet të sigurohen që sipas vendimit të nxjerrë nga Qendra Operative Emergjente me numer 01/Nr.003, me datën 08.04.2020, të respektohen masat mbi dorëzimin dhe pranimin e shërbimeve brenda hapësirave të lokaleve tregtare;

5. Qendrat Tregtare kafiteritë dhe restorantet përmes audio mesazheve duhet të paralajmërojnë klientët e tyre në çdo 60 minuta për rregullat e mbrojtjes nga virusi (maska, distanca dhe mospranimi i shërbimeve pa masa mbrojtëse);

6. KBI – Gjilan dhe të gjithat bashkësitë fetare, duhet të apelojnë për masat kundër virusit, gjatë grumbullimit masiv të xhematit në falje të namazit në xhami, dhe liturgjive ne kisha, në ceremoni varrimi dhe ceremoni tjera fetare;

7. Ndalohet organizimi i ahengjeve, festave ku bëhet grumbullimi masiv i njerëzve si dhe muzika live apo përmes dj.

Të gjitha këto janë masat e reja për Komunën e Gjilanit në mënyrë që të krijojmë një mbrojtje të shëndetit publik dhe jemi duke punuar vazhdimisht edhe në listën e kontakteve dhe burimet e infeksionit, ka shtuar Haziri.