Lutfi Haziri sot u pa në Kuvend, a ishte në takim me Vjosa Osmanin?

Vjosa Osmani tashmë e ka bërë publike se rrugët e saj me LDK’në janë ndarë dhe ka filluar punën për një iniciativë të re politike ku tha se do t’i bashkohen edhe njerëz tjerë të LDK’së.

Një nënkryetar tjetër i LDK’së që ka shfaqur afërsi me qëndrimin e Osmanit është edhe kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri, i cili sot është parë të ketë qëndruar në hapësirat e Kuvendit të Kosovës.

Kryetari i Gjilanit, njëherit edhe nënkryetar i LDK’së, Lutfi Haziri, sot është parë të ketë hyrë në objektin e Kuvendit të Kosovës. Gazeta Online ‘Reporteri.net’, ka siguruar edhe fotografitë e veturës zyrtare të Hazirit, të parkuar para objektit të Kuvendit të Kosovës.

Në këtë kohë Kuvendi dhe deputetët kanë shkuar në pushim, por jo edhe kryetarja Vjosa Osmani e cila del në zyrë dhe vazhdon aktivitetin e saj politik. E duket se Haziri, Kuvendin e ka vizituar, pikërisht për të takuar kryetaren Osmani.

Megjithatë, edhe pse i kontaktuar nga Gazeta Online ‘Reporteri’, kryetari Haziri nuk ka pranuar të përgjigjet në pyetjet se a ka zhvilluar sot takim me kryetaren Osmani dhe nëse po, cilia ka qenë arsyeja e takimit.

Deri më sot, kryetari Haziri, edhe pse është numër dy në LDK, nuk ka komentuar paralajmërimin e Osmanit për themelimin e një subjekti të ri politik. Madje ka heshtur edhe kur emri i tij është përmendur në media, se ai mund të ndjekë rrugën e kryetares Osmani, për t’u larguar nga LDK, që t’i bashkohet iniciativës së saj politike.

Nëse eventualisht bashkë me Osmanin nga LDK largohet edhe Lutfi Haziri, atëherë kjo parti me shumë gjasë do të përjetonte edhe një herë goditjen e madhe të pas vdekjes së presidentit Rugova, dhe ‘Kuvendit të Karrigeve’, ku kjo parti u nda në dysh, dhe për herë të parë humbi primatin në skenën politike kosovare.