Lutfi Haziri viziton QKMF-në, konfirmon mbështetjen për përballimin e pandemisë

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka vizituar sot Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), për t’i uruar detyrën e re drejtoreshës, Arbenita Hajdari, dhe mbarë stafit në menaxhimin e vazhdueshëm të të gjitha QMF-ve në përballje me pandeminë dhe me të gjitha shërbimet që ofron shëndetësia primare për qytetarët.

“Besoj shumë në profesionalizmin e drejtoreshës dhe të stafit të QKMF-së në përgjithësi, por e nevojshme është mbështetja e disa projekteve që do ta bënte edhe më të lehtë punën gjatë të ardhmes. Shumë shpejtë do të fillojë bartja e stafit në Spitalin e ri, një objekt modern që po shkon drejt finalizimit, ku do të pajisen edhe me mjete moderne të punës, në mënyrë që angazhimet të jenë në funksion të punës dhe rritjes së efikasitetit ndaj pacientëve. Në këtë fazë ka shumë detyra dhe obiligime që duhet të menaxhohen në mënyrën më të mirë të mundshme, sepse është fillimi i vitit shkollor, janë vaksinimet, përballja me pandeminë dhe detyra të tjera që lidhen direkt me këtë Qendër”, ka thënë kryetari Haziri.

Arbenita Hajdari, drejtoreshë e QKMF-së, e ka falënderuar kryetarin për vizitën dhe lajmet e mira që ka sjellë në qendër, e që sipas saj, janë një lehtësi e madhe në punën dhe angazhimin e nivelit primar të shëndetësisë.

“Mbështetja dhe bashkëpunimi i ofruar nga kryetari Haziri janë një nxitje edhe më e madhe për të gjithë ne, që të punojmë edhe më shumë në shërbim të qytetarëve në përgjithësi dhe pacientëve edhe përkundër që jemi në një kohë të vështirë të përballjes me pandeminë globale”, ka thënë ajo.

Ndërsa, Selami Xhemajli, drejtor i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, ka potencuar se janë të fokusuar që së bashku ta menaxhojnë realizimin e programit në shëndetësinë primare, të fokusuar në kushte më të mira për stafin dhe kujdesin më të mirë për pacientët, sepse siç ka thënë ai, kjo është dera e parë ku qytetari kërkon ndihmën e mjekut./Mediafokus.info/