Major Muharrem Ibrahimi ra duke kënduar

Nehat Ibrahimi

(Nga ditari im i luftës)

Muharrem Ibrahimin nuk pata rast ta takoja në vitet e ’80 gjatë shërbimit tonë në ish APJ edhe pse të dytë shërbenim në Slloveni.

As në qytetin e tij të lindjes e qytetin tim të fëmijërisë, Gjilanin, nuk pata rastin ta takoja.

Për Muharremin kisha informacione nga vëllai i tij Naseri, ndërsa më shumë për të më kishte folur kolegu dhe bashkëluftëtari, Abdulla Shasivari, epror i karrierës.

Më vonë, fati e deshi që me Muharremin të ndajë shtratin dhe istikamin në luftë.

Rastisi që fizikisht të takohemi në lagjen e Hajdarajve në Viti të Marecit, pasi që ne, shtab i ZOK-ut u shpërngulëm nga rajoni i Zllazhit, diku kah fundi i muajit mars 1999.

Të jem i sinqertë, pamja e tij nuk përkonte me karakterin prej eprori. Kishte një dukje të qetë, një fytyrë të butë.

Ardhja e tij në radhët e UÇK-së, për mua ishte një kënaqësi e madhe, sepse mendoja që sa më shumë njerëz të artit ushtarak që të jemi në formacionet tona, aq më shumë kontribut mund të japim në ngritjen e kapaciteteve luftarake.

Me majorin, ashtu siç e thërrisnin, në fillim të muajit prill u zhvendosëm në malësinë e Zhegocit, me qëllim që edhe në këtë pjesë të bëjmë organizimin e strukturave të para të UÇK-së, kuptohet me një pjesë edhe të shtabit me qëllim të strukturimit të brigadës.

Në Zhegoc, me Muharremin e ndaja një shtrat, në shtëpinë e Mejdi Pajazitit, kështu që  kishim mundësi të bisedonim për shumëçka, por kuptohet që tema kryesore ishte në lidhje me organizimin e njësive të brigadës së UÇK-së në ZOK.

Përpos planeve strategjike ai u angazhua edhe në përgatitjen e ushtarëve në përdorimin e armëve të këmbësorisë dhe taktikat e përgjithshme të përdorimit,  në përgjithësi, po sidomos me njësinë e ashtuquajtur  “diversantë-vëzhgues”,  njësi kjo kryesisht e përbërë nga sportistë të ndryshëm.

Për herë të fundit në Zhegoc u pamë në mbrëmjen e 15 prillit, në ahishtën mbi shtëpitë e lagjes, ditën kur na sulmuan forcat serbe. Ne kishim drejtime të kundërta në pozicione.

Pas ofensivës së Zhegocit, jemi tërhequr përsëri në lagjen e Hajdarajve  në Viti të Marecit.

Ne, gjithnjë ishim në lëvizje, pasi që grupi ynë e kishte të plagosur Afrim Myrtajn, të cilin e bartëm shumicën e kohës deri në Mramor.

Ditën e 17 prillit 1999, pas shumë e shumë mundimeve, kishim arritur te lagjja e Hajdarajve.

Edhe pse puna ime ishte në prapavijë, në organizimin e logjistikës, unë të nesërmen iu bashkëngjita njësitit të kolegut dhe bashkëluftëtarit tim, komandantit të njësitit, eprorit Abdulla Shasivari, në vijën e parë të frontit.

Ditën e 19 prillit 1999, herët në mëngjes u pozicionuam “Te metrat”.  Nuk vonoi shumë dhe ne u gjendëm nën breshërinë e predhave të armikut, ku domosdo ishim të detyruar të tërhiqeshim.

Kur pushuan pak granatimet nga artileria serbe, ne u pozicionuam sipas urdhrit të komandantit Abdulla Shasivari, për secilin veç e veç.

Nuk vonoi shumë, Muharrem Ibrahimi-Majori erdhi në vizitë në radhët tona, i shoqëruar nga  Shemsi  Syla  (Shaqa) dhe Daut Ilazi (Shpati). Ibrahimi vendosi të qëndrojë në vijën tonë të mbrojtjes, gjë që u gëzova, pasi që tani në pozicionet tona kishim dy majorë.

Meqenëse majori vendosi të qëndrojë me ne, unë i ofrova pozicionin tim, kurse vetë u pozicionova në krahun e tij të majtë.

Për një kohë mbretëroi një qetësi. Brenda kësaj qetësie, Muharremi filloi t`i imitojë predhat e mortajave me fishkëllimë dhe pastaj ia mori një kënge.

Në atë moment filluan granatimet në pozicionet tona. Për çudi, majori vendosi të ndërrojë pozicionin dhe gjatë lëvizjes e goditi predha përpara se të ri-pozicionohej.

Nga pozita ku isha, e pashë tërë ngjarjen dhe mendova se predha e goditi për vdekje, mirëpo pas një kohe të shkurtër majori filloi të thërriste për ndihmë. U gëzova shumë që po ia dëgjoja zërin, që ishte gjallë.

Edhe pse sipas rregullave luftarake, gjatë kohës së granatimeve duhet qëndruar në pozicion, unë vendosa t`i shkojë në ndihmë majorit. Pata fat të mbërrijë te ai pa u qëlluar.

Kishte marrë një plagë shumë të rëndë dhe vetëm e kisha të pa mundur të bëja gjë.

Kërkova ndihmë nga Abdulla Shasivari, i cili erdhi menjëherë dhe së bashku vazhduam trajtimin e plagës.

Majori, edhe në atë gjendje na inkurajonte që të vazhdonin luftën përballë forcave serbe.

Pasi që mbaruam me dhënien e ndihmës së parë, me ato pak mjete që kishim, majorin e kemi tërhequr nën breshërinë e artilerisë mbi 50 metra, ku pastaj ia besuam luftëtarit Agim Beqiri, për ta bartur deri në lagjen e Hajdarajve, për trajtim të mëtutjeshëm, edhe pse në atë kohë, mjerisht kishim mungesë të infrastrukturës mjekësore, humane dhe teknike.

Major Muharrem Ibrahimin nuk pata fatin ta takoja më fizikisht, meqë kishte ndërruar jetë pas dy ditësh, por më duket se me të jam gjithmonë, sa herë që jam i vetmuar, sikurse edhe me Ibrahimi Uruqin, Pajazit Ahmetin, Besnik Marocën, Isë Kastratin, Abaz Thaçin, Agim Ramadanin dhe shumë dëshmorë të tjerë që pata rastin t`i takoj në pjesë të ndryshme, gjatë luftës së UÇK-së, e cila na bashkoi në idealin e madh për një Kosovë të lirë, por jo si kjo që është sot./mediafokus.info