Malli dhe mërzia janë barra më e rëndë për njeriun

Faruk Jelmen është njëri ndër 35 milionë banorët e Turqisë, që kanë origjinë nga vendet e Ballkanit, një numër i madh prej tyre nga Kosova, Maqedonia dhe trevat tjera të ish-Jugosllavisë, shkruan Mediafokus.info

Faruku ishte shpërngulur nga Gjilani, para 62 vitesh, në moshën 21-vjeçe, për t`iu bashkuar motrës së tij të vetme, e cila asokohe ishte e martuar në Shkup. Në Gjilan, Faruku kishte mbiemrin Mustafa dhe i përkiste familjes së madhe dhe të njohur për kohën, Novobërdali.

Dëshira e tij ishte ta rrëfejë jetën e tij mbi 70-vjeçare, që nga Gjilani, ku i ka i kaluar vitet e rinisë e, deri në Stamboll, ku tashmë ka mbushur gjysmë shekulli jetë.

Rrëfimet e tij shoqërohen nga lotët që i rrëshqasin faqeve, teksa kujton momente nga jeta në vendlindje, aty ku është kthyer për një vizitë, pas 20 vitesh.

“Kam qenë edhe njëherë, në vitin 1996”, thotë Faruku.

Ai ka lindur në vitin 1936. Në fund të vitit 1956 është shpërngulur në Turqi. Për herë të parë është kthyer për vizitë në Kosovë, në vitin 1996. Në vitin 2016, ai ka ardhur në vizitën e dytë në Kosovë. Numri 6 del në të gjitha datat më të rëndësishme të jetës së tij.

Në kohën sa ka jetuar në Gjilan, ai ka punuar shkurt si mësues në shkollën turke. Ai ndihet i lumtur që të paktën disa nga shokët e gjeneratës i ka ende gjallë dhe mund t`i takojë e të rikujtojë me ta kohët e largëta, sa herë vjen në Gjilan.

Numri i 70-vjeçarëve që ende janë gjallë, nuk është i madh në Gjilan, por Faruku ka miq edhe te brezat tjerë, më të rinj, në Gjilan, ku nuk jeton askush nga familja e tij. Ata janë shpërngulur herët në Preshevë, Shkup e Turqi, ku Jelmen ka kaluar pjesën më të gjatë të jetës së tij.

Shumë mirë e flet edhe gjuhën shqipe. Nostalgji të veçantë ka për këngët shqipe, aq sa nuk i mban lotët kur i kujtohen vargjet e disave prej tyre.

Faruku nuk kishte ardhur në Gjilan për njëzet vjet, jo pse nuk kishte dëshirë, por e dinte se kur të kthehej mbrapa, duhet të merret me vete një mal mërzish për vendlindjen dhe njerëzit e saj.

“Malli dhe mërzia janë pesha më e rëndë për njeriun”, thotë ai./Mediafokus.info