Mbi 100 pacientë kosovarë u përballen njëherësh me kancer dhe koronavirus

Mbi 100 pacientë kosovarë të cilët vuajnë nga sëmundja e kancerit, janë prekur edhe nga Covid-19. Por të gjithë këta kanë arritur që ta mposhtin këtë virus duke u shëruar nga ai, ka thënë drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishaj.

Ndërkohë në shtatë muajt e parë të këtij viti, në vendin tonë janë shënuar edhe 800 raste të reja me kancer.

“Pacientët kosovarë të cilët janë të prekur nga kanceri me shumë sukses po arrijnë që ta mposhtin koronavirusin”, ka thënë Kurtishaj për Express.

“Me Covid ka pasur një numër prej mbi 100 personave të sëmurë nga kanceri. Të gjithë këta kanë arritur që ta kalojnë më sukses infeksionin Covid-19. Disa nga ta janë trajtuar në shtëpi, e disa të tjerë në Klnikën Infektive. Pas kalimit të infeksionit ata kanë ardhë në Klinikë ku i kanë vazhduar terapitë e tyre kundër sëmundjes së kancerit”, ka deklaruar Kurtishi.

Ai ka deklaruar se gjatë shtatë muajve të parë të këtij viti, në Kosovë janë shënuar edhe 800 raste të reja me kancer.

“Deri në muajin korrik i kemi pasur 800 raste të reja me kancer. Që i bie 10 për qind më pak se sa në vitin e kaluar”, thotë Kurtishi.

Sipas tij, mosha mesatare e të prekurve me kancer në Kosovë është mbi 50-vjeç, ku dominon kanceri i gjirit dhe i mushkrive.

Ndërkohë gjatë vitit 2019 në Kosovë janë regjistruar 1.586 raste të reja me kancer.