Mbi 100 persona me kancer, të sëmurë edhe me COVID-19

Në Kosovë, rreth 120 pacientë të cilët vuajnë nga kanceri, janë prekur edhe me COVID-19. Megjithëkëtë, asnjë rast nuk ka përfunduar me vdekje.

Adelina (emri i vërtetë i së cilës është i njohur për redaksinë) është njëra nga ta, e cila, krahas kancerit në gji që e ka diagnostikuar në muajin janar të këtij viti, në muajin korrik është infektuar edhe me koronavirus.

Ajo e ka vazhduar trajtimin me kimioterapi, derisa e ka kaluar edhe koronavirusin.

“Unë jam operuar nga kanceri në gji, meqë u diagnostikova me këtë sëmundje. Kam filluar kimioterapinë, e që kam pasur pak vështirësi, normalisht. Por, në muajin korrik, filluan disa simptoma, e që unë mendoja se janë prej kimioterapisë. Por jo, dola COVID pozitiv”, rrëfen Adelina për Radion Evropa e Lirë.

“Pas konsultave me doktorin tim që më trajtonte për sëmundjen malinje, ai më tregoi se çka të përdor dhe ma ka përcjellë gjendjen. Në përgjithësi kam qenë mirë, por shumë e lodhur. Kam pushuar shumë dhe kështu e kam kaluar pa ndonjë telashe, duke e vazhduar edhe terapinë për kancerin”, thotë ajo.

Mikkael Sekeres, mjek specialist për leukeminë akute në Shtetet e Bashkuara, në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë, ka thënë se personat e prekur me kancer nuk janë në rrezik më të madh nga kapja e virusit, por janë në rrezik më të madh për t’u sëmurë rëndë nëse e marrin virusin.

Ai ka veçuar sidomos pacientët që e kanë sistemin imunitar të prekur nga kanceri ose nga trajtimi i kancerit – për shembull, pacientët me leukemi ose pacientët me kancer në mushkëri, frymëmarrja e të cilëve mund të jetë e rënduar.