Mbyllja e kufijve nuk është zgjidhje për pandeminë, derisa virusin e kemi përbrenda

Me mbyllje të kufijve, qeveritë e shteteve të rajonit po mundohen ta pengojnë përhapjen e një virusi global, duke i kushtëzuar hyrjet e shtetasve tjerë me testim, i cili në klinikat private kushton 65 euro, ndërkaq në ato shtetërore nuk mund bëhet për nevoja tjera, pos për raste referimi nga mjekët.

Për shembull Maqedonia e Veriut që prin me numrin e viktimave, nuk lejon hyrjen e shtetasve të vendeve fqinje pa test dhe më e keqja është se nuk i pranon testet e laboratorëve privatë, shkruan mediafokus.info

Dihet se në këtë shtet fqinj studiojnë një numër i konsiderueshëm i të rinjve nga Kosova dhe për t`u kthyer në provime, atyre ju kërkohet testi negativ për Covid-19, që ju vlen vetëm për një hyrje.

Është absurde t`i detyrosh studentët të paguajnë testime kaq të shtrenjta, tani kur pandemia ka thelluar krizën ekonomike dhe sociale në mbarë botën.

Edhe më absurde është të kërkosh testim për të lejuar hyrjen e shtetasve fqinjë, si mbrojtje nga virusi, kur virusin e kemi brenda. Prej se po mbrohemi pra?

Virusi Covid-19 nuk është një sëmundje lokale, që ka shpërthyer në një zonë të ngushtë dhe mbyllja do të ishte shpëtim.

Nga një epidemi që ka prekur gjithë botën, prandaj është shpallur pandemi, nuk mbrohesh duke mbyllur kufijtë.

Edhe ashtu nuk dihet saktësisht se si përhapet virusi, ndërkaq ka pasur mendime nga shkencëtarët se Covid-19 shpërndahet edhe përmes ajrit.

Nëse kjo është e vërtetë, atëherë sa bën punë mbyllja e kufijve, ose lejimi i qarkullimit vetëm me test.

Edhe ashtu, po dëshmohet se testet nuk janë garanci që një peron nuk është i infektuar, sepse nëse ai ka dalë negativ para një dite, kjo nuk do të thotë se të nesërmen nuk mund të rezultojë pozitiv.

A e kemi shmangur rrezikun duke i detyruar njerëzit në këtë krizë të bëjnë teste nëpër laboratorë privatë, për një çmim aq të lartë?

Dihet se nevojat më të mëdha për lëvizje në zonën fqinje i kanë studentët, kategoria më e dobët ekonomikisht.

Universitetet nuk kanë treguar mirëkuptim ndaj studentëve, që të paktën në këtë kohë të pandemisë t`ua lehtësojnë obligimet financiare.

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës, të paktën është dashur të mendojë për studentët kosovarë të cilët studiojnë në Maqedoninë e Veriut dhe t`ua mundësojë atyre kryerjen e testimit në IKSHP dhe jo t`i lë të bëjnë teste të shtrenjta në laboratorë privatë.

Ne po mbrohemi nga diçka që tashmë e kemi përbrenda. Zgjidhja e vetme eshte respektimi i masave mbrojtëse. /mediafokus.info/