Gjilani në dhembje të dyfishtë nga tërmeti në Shqipëri

Gjilani e ka ndjerë veçmas tërmetin në Shqipëri, për faktin se në këtë fatkeqësi të natyrës humbën jetën edhe dy bashkëvendës të tyre, të cilët ndodheshin në zonën e goditur për arsye pune e mbijetese familjare.

Qytetarët e Gjilanit e kanë përjetuar edhe vetë tmerrin nga lëkundja e tokës në këmbët e tyre, në vitin 2002, ku humbi jetë një person, u lënduan dhjetëra të tjerë si u shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale në infrastrukturën publike e private.

Duke e bashkëndjerë dhimbjen me popullin dhe shtetin shqiptar, institucionet dhe qytetarët e këtushëm u solidarizuan menjëherë me familjet e goditura, duke grumbulluar dhe dërguar dhjetëra furgonë me ndihma.

Po ashtu, në shenjë solidariteti me viktimat e tërmetit në Shqipëri dhe familjet e tyre, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka anuluar të gjitha aktivitetet festive të parapara për nder të 28 nëntorit.

“Askush më shumë se gjilanasit nuk e bashkëndien tragjedinë nga tërmeti i sotëm në Shqipëri. Lutemi për viktimat dhe familjet e tyre. Gjilani dhe Kosova sot është me Shqipërinë”, ka thënë kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri. /MediaFokus/