Më shumë se gjysma e pacientëve të trajtuar për COVID-19 përjetojnë çrregullime psikike

Më shumë se gjysma e pacientëve që marrin trajtime spitalore për COVID-19, më vonë zhvillojnë një çrregullim psikik, thuhet në një studim të fundit Italian.

Një total prej 402 pacientësh me koronavirus në spitalin San Raffaele në Milano ishin pjesë e një hulumtimi afatgjatë, për të analizuar ndikimin e këtij virusi në sistemin nervor.

Sipas këtij hulumtimi, pacientët me Covid-19 pas largimit nga spitali vuanin nga stresi post-traumatik(PTSD), ankthi, pagjumësia ose depresioni.

Në këtë hulumtim në mesin e 402 pacientëve, 265 meshkuj dhe 137 gra përjetuan këto çrregullime pas lëshimit nga spitali dhe rikthimit në jetë normale.

“Ishte e qartë se inflamacioni i shkaktuar nga sëmundja mund të ketë ndikim edhe në aspektin psikologjik”, tha profesori Francesco Benedetti, drejtures i grupit të njësisë së kërkimit psikologjik në Milano.

Në bazë të pyetësorëve të realizuar me këta pacientë, është vërejtur se 28 për qind të tyre u preken nga PTSD, 31 për qind me depresion, 42 për qind me ankth, dhe 40 për qind prej tyre me pagjumësi.

Disa nga faktorët që ndikojnë në manifestimin e këtyre çrregullimeve janë: inflamacioni, stigma, izolimi social, shqetësimet për infektimin e të tjerëve, stresi psikologjik dhe trauma që pacientët e diagnostikuar me Covid-19 përjetojnë.