Mentaliteti primitiv i politikanëve tanë

Daut Dauti

Të gjithë politikanët e rëndësishëm të Kosovës i njoh personalisht. Disa i njoh që nga koha e paraluftës.

Por, shumicën e tyre i njoh nga koha e pasluftës për shkak se këta nuk ishin personalitete për t’i kapur më herët radari i gazetarit.

Këta njerëz ‘udhëheqës’ gjatë dy dekadave të fundit, duke u bërë të rëndësishëm, kanë vizituar pothuaj secilin vend të Evropës nga disa herë.

Kanë qenë mysafirë të udhëheqësve të shquar evropianë dhe amerikanë dhe me ta kanë biseduar tema të rëndësishme, kanë ngrëne dreka e darka zyrtare e jozyrtare.

Kanë fjetur në hotele luksoze. I kanë parë me sy të vetë kancelaritë dhe korridoret e fuqive evropiane dhe rendin e punës në to.

E kanë parë rendin ekonomik dhe politik të këtyre vendeve së bashku me rregullimin e qyteteve dhe fshatrave. Kanë parë e çka nuk kanë parë.

Megjithatë, këta ‘udhëheqës’ tanë nuk kanë mësuar asgjë nga kjo mundësi edhe përkundëra faktit se kanë kaluar edhe nëpër programe-vizita që për qëllim kanë patur edukimin (gëdhendjen) e tyre.

Nuk e kanë mësuar anglishten e asnjë gjuhë tjetër, përfshirë atë amëtare.

Nuk kanë mësuar as si të sillen në tavolinë e jashtë saj. Edhe sot, pas më shumë se dy dekadave, këta njerëz e kanë ruajtur të njejtin mentalitet primitiv të fshatit nga ku janë larguar për të ardhur në qytet.

Njësoj qëndron puna edhe me ata që janë nga qyteti. I dijmë paraqitjet, qëndrimet dhe sjelljet e tyre publike që janë të gërditshme dhe absolutisht të paparanueshme për botën e sotme.

Privatisht, këta njerëz, me mburrje ende tregojnë vica për ‘magjuptë’, zezakët, gratë dhe për njerëzit me të meta fizike apo psiqike.

Përkundër këtyre mundësive që i kanë patur, këta njerëz kurrë nuk kanë qenë në gjendje ta dallojnë të mirën nga e keqja, vjedhjen apo veprën penale nga veprimi i ligjshëm.

Këta njerëz kurrë nuk janë munduar që në vendin e tyre të aplikojnë asnjë fije të asaj që kanë parë në Perëndim e gjetiu në botë.

Kurrë nuk e kanë mësuar që politika në publik është zanat që karakteristikë kryesore ka butësinë dhe aftësinë e afrimt të qytetarëve.

Në fakt, këta kurrë nuk e kanë kuptuar nocionin politikan – politikë. Këtyre njerëzve shej s’ju len as Evropa e as Amerika.

Kjo gjë, të cilën nuk e kuptoj pse është kështu, duhet të na frikësoj shumë. Si është e mundur që njeriu të mos ndryshoj aspak përkundër gjithë atyre përvojave të një periudhe të gjatë?

Tashti, ne duhet ta bëjmë një pyetje: Si quhen ata njerëz që nuk mësojnë as nga mësimi e as nga pësimi?