Amaneti i profesorit një javë para se të vdiste: Mos e neglizhoni Coronavirusin, është shkatërrues (Video)

Maksut Maksuti, veterani i arsimit dhe sportit gjilanas, me krejt optimizmin që kishte, nuk arriti ta fitonte betejen ndaj Coronavirusit.

Ai ndërroi jetë sot, në moshën 73-vjeçare.

Të premten e kaluar, ekipi i Mediafokus.info qëndroi në Repartin e Infektivës, në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit, ku po trajtohej edhe profesori, tashmë i ndjerë.

Në një bisedë për Mediafokus, profesori i njohur si Maksi e dha mesazhin e madh për njerëzit që të mos e neglizhojnë coronavirusin.

“Gabim shumë të madh bëjnë ata që nuk besojnë se ekziston virusi. Ky është virus gjithë botëror dhe duhet t’i përmbahemi rregullave të Ministrisë së Shëndetësisë, me qëllim që sa më shpejt ta eliminojmë këtë virus që është shkatërrues”, pati thënë profesori Maksuti, në bisedën për Mediafokus.info, e zhvilluar më 17 korrik.

Ai pati vlerësim të lartë dhe falënderim për stafin e Repartit të Infektivës, të cilët tha se po tregojnë një kujdes të jashtëzakonshëm.

Ndiqeni deklaratën e profesorit, Maksut Maksuti, një javë para se të ndërronte jetë, mesazhi i të cilit ndoshta do të mund t’i ndërgjegjësojë 30 për qind të kosovarëve, të cilët në një anketë të realizuar nga Qeveria e Kosovës, thanë se nuk besojnë se ekziston COVID-19./Mediafokus.info/