Miku që nuk iku kurrë nga qenia ime

Hasan Bunjaku

Si sot, 24 qershor 1996, ndërroi jetë, në moshën 51 vjeçare, pas një sëmundje të rëndë, njëri ndër krijuesit e letrave shqiptare: poezisë, prozës, dramës, shkrimeve diskurzive, njohësi e analisti i çështjeve letrare, dramaturgjike, e problematikave aktuale politike, miku im i pandashëm, që nga fëmijëria, shkollimi, jeta e bashkëvuajtja e përndjekja nga pushteti albanofob serb – BEQIR MUSLIU.

Beqir Musliu, njeriu më i afërt që kam pasur kurdoherë në këtë jetën time të vogël; mua më kishte njëfarë lloj “recensenti” TË PARË,; që, çdo gjë që shkruante, të nesërmen e “ndante” me mua dhe diskutonim madje për çdo pikë presje, lere më për çështje edhe më të thella ideo-estetike e artistike, çështjeve të preokupimeve tematike; mbarshtrimin e lëndës; shtimin apo heqjen, qoftë madje edhe të kapitujve të tërë, ndryshimin apo edhe mënjanimin fare të tyre.

Në një nga kolumnet e tij të rregullta “Anames”, që në dy vite para se të vente në amshim, në dy faqet e mesme të Revistës “Shkëndija”, titullar “Letër e hapur Hasan (Z) Bunjakut”, në nëntitullit do të shtonte, hiç më pak se – “BASHKAUTORIT TË VEPRËS SIME”, në mënyrë, që, të dëshmonte se më kishte mbështetës, bashkë ideator, konsulent, inkurajues, dhe përcjellës të çdo gjëje që shkroi, që nga ato vargjet e para (që patëm nisë bashkë të “shkarravisnim”, ndërkaq që unë hoqa dorë fare, e ai me këmbëngultësinë e tij, u bë figura më emblematike letrare jo vetëm e Gjilanit dhe Anamoravës, por edhe e tërë arealit letrar mbarëkombëtar.

Dhe, ja që kaluan kaq vite dhe kjo miqësi “do të vazhdojë” sepse la atë veprën e tij (tonën të përbashkët, siç do ta quante ai vetë), që, qyteti im, Gjilani, përmes “Ars Clubit Beqir Musliu”, Klubi i Gazetarëve “Press Clubi “Beqir Musliu”, Çmimi vjetor “Beqir Musliu”, “Takimet letrare “Beqir Musliu” dhe një sërë rrugësh të lagjës më të urbanizuar “Dardania” e qytetit, që e mbajnë emrin e tij, bëjnë që ai të jetojë, ndër ne edhe nga vetë Përjetësia…

(Ky dedikim i Hasan Bunjakut, i shkruar para tri vitesh, ribotohet nga mediafokus.info në 24-vjetorin e vdekjes së shkrimtarit Beqir Musliu)