Ministri libanez: Shpërthimi shkatërroi depon e grurit, s’kemi rezerva as për një muaj

Ministri libanez i Ekonomisë, Raoul Nehme, tha se shpërthimi masiv i së martës në portin e Bejrutit e ka shkatërruar depon kryesore të drithrave, ku gjendej edhe gruri dhe se vendi ka rezerva për më pak se një muaj, ndonëse anijet me mallra janë duke ardhur.

Ministri Nehme i tha agjencisë Reuters një ditë pas shpërthimit të tmerrshëm se vendi ka nevojë për rezerva për së paku tre muajt e ardhshëm për të pasur siguri të ushqimit dhe është duke shikuar në zona të tjera të rezervave.

Depoja e drithërave në Bejrut kishte kapacitet për 120,000 tonë drithëra, tha Ahmed Tamer, drejtor i portit të Tripolit, që është qyteti i dytë më i madh në vend, transmeton Gazeta Express.

Ky port nuk është i pajisur me depo për drithëra, por mielli mund të dërgohet në depo që ndodhen dy kilometra larg, tha Tamer.

Në momentin e shpërthimit, në depon e drithërave në Bejrut ndodheshin rreth 15,000 tonë miell. Për fat të mirë, depoja nuk ishte e mbushur për shkak se mullisët e shkarkuan mallin drejtpërdrejt për shkak të vonesave në lëshimin e letrave për pagesë, tha Ahmed Hattit, kryetar i Unionit të Importuesve të Grurit.

Ai tha se rezervat e tanishme të grurit mjaftojnë për ta mbuluar tregun për një muaj e gjysmë dhe tha se katër anije me gjithsej 28,000 tonë grurë janë duke ardhur në port.