Ministria e Shëndetësisë lejon aktivitetet stërvitore sportive

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se ka lejuar mbajtjen e aktiviteteve stërvitore për Federatën e Futbollit të Kosovës, përkatësisht për klubet futbollistike në vend.

Meqë IKSHPK dhe Zyra e OBSh-së në Kosovë kanë konstatuar se situata epidemiologjike në Kosovë konsiderohet me risk të reduktuar krahasuar me situatën paraprake, Ministria e Shëndetësisë ke lejuar mbajtjen e aktiviteteve stërvitore për Federatën e Futbollit të Kosovës, përkatësisht për klubet futbollistike në vend.

Këto aktivitete do të zhvillohen në pajtueshmëri me Udhëzimin për procesin stërvitor të dakorduar midis FFK-së, MSH-së e IKSHPK-së dhe duke respektuar edhe Udhëzuesin e Përkohshëm për aplikimin e masave për parandalimin dhe luftimin e COVID-19.

Prej periudhës 18 maj deri më 1 qershor, në pajtim me këta udhëzues, klubet e futbollit do të mund të zhvillojnë vetëm aktivitete stërvitore, për të qenë gati që ndeshjet t’i zhvillojnë në qershor, në varësi të situatës epidemiologjike.

Gjatë zhvillimit të aktiviteteve stërvitore, pjesëmarrësit në to duhet t’i zbatojnë masat mbrojtëse, të ruajnë distancën fizike dhe të mbajnë higjienën sipas kushteve të përcaktuara në Udhëzues.

FFK do ta ndaj udhëzuesin me klubet futbollistike dhe do t’u jap atyre instruksione shtesë lidhur me mbarëvajtjen e stërvitjeve, thuhet në njoftimin e MSH-së./mediafokus.info