Mjeku kosovar në Gjermani nuk pajtohet se të gjithë pacientët që po vdesin ‘kanë edhe sëmundje tjera shoqëruese’

Mjeku kosovar në Gjermani nuk pajtohet se të gjithë pacientët që po vdesin ‘kanë edhe sëmundje tjera shoqëruese’. IKSHP definitivisht duhet t’a largojë nga lajmërimi i përditshëm i rasteve të reja pozitive me Sars-Cov2 dhe të vdekurve nga COVID-19 pjesën e fjalisë ku thuhet “të vdekurit kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese”.

Kështu ka thënë Fahri Beqa, mjek internist dhe kardiolog që jeton dhe punon në Berlin. Ai shton se personalisht i ka njohur tri raste që nuk kanë pasur asnjë sëmundje tjetër, pos Covid 19.

“Të paktën personalisht i kam njohur 3 persona që kanë vdekur nga COVID-19 dhe nuk e kanë pasur asnjë sëmundje shoqëruese”, ka thënë Beqa.

“Përveç tjerash kjo tingëllon edhe si relativizim apo arsyetim i vdekjeve. Nga COVID-19 mund të preken dhe mund të vdesin të gjitha moshat dhe të gjithë pacientët me apo sëmundje shoqëruese. Poashtu edhe mund të shërohen të gjitha moshat dhe pacientët, me apo pa sëmundje shoqëruese.

Prandaj nuk është etike e as humane që pacientët me sëmundje shoqëruese të futen automatikisht në kategorinë që ata janë të vetmit që po vdesin nga COVID-19.

Sipas statistikave dhe analizave që databazës së të vdekurve në Itali, 28,2% e të vdekurve nuk kanë pasur asnjë sëmundje shoqëruese para pandemisë, dmth kanë qenë plotësisht të shëndoshë.

Prandaj kjo pjesë e fjalisë duhet të hiqet, përndryshe shpërndarja e pasaktë e informacioneve për të vdekurit nga një institucion shëndetësor është ofendim i rëndë dhe mund të ketë edhe konsekuenca juridike që mund të inicohen nga familjarët e të vdekurve”, ka shkruar ai ne profilin e tij. /mediafokus.inf0