Mocioni i VV-së ndaj qeverisë Hoti “mision i pamundur”

Nisma e partisë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, për ngritjen e një mocioni mosbesimi ndaj qeverisë së drejtuar nga kryeministri, Avdullah Hoti, është një mision thuajse i pamundur thonë njohësit e çështjeve politike në Kosovë. Sipas tyre, pa një bashkëpunim mes partive politike dhe pa një vullnet të mjaftueshëm të një shumice të partive politike parlamentare, nuk pritet që të ketë sukses kjo nismë.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka thënë të enjten në Kuvendin e Kosovës, se VV, do të nisë mbledhjen e nënshkrimeve për mbajtjen e seancës, për votimin e mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë së drejtuar nga kryeministri, Avdullah Hoti.

Ai u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve, që ta përkrahin këtë nismë, por nuk ka treguar nëse ndonjëra parti ka treguar tashmë përkrahje për mocionin.

Lidhur me këtë iniciativë, VV-ja tha se i ka njoftuar edhe partitë tjera parlamentare, atë opozitare Partinë Demokratike e Kosovës (PDK), dhe partitë në pushtet, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nismës Socialdemokrate, si dhe grupin parlamentar 6 plus.

VV-ja mendon se qeveria aktuale është “e paaftë për të qeverisur vendin”; për të menaxhuar pandeminë, dhe se i mungon plani për rimëkëmbje ekonomike.

Për mbajtjen e seancës për shqyrtimin e mocionit të mosbesimit nevojiten 40 nënshkrime të deputetëve. VV-ja i ka 31 deputetë në grupin e saj parlamentar.

Paçarizi: Pa PDK-në nuk mund të sigurohen numrat

Njohësi i çështjeve politike, Rrahman Paçarizi, njëherësh profesor në Universitetin e Prishtinës, tha për Radion Evropa e Lirë se Lëvizja Vetëvendosje pa një bashkëpunim të ngushtë me PDK-në, nuk mund t’i sigurojë numrat për rrëzimin e qeverisë.

“Ndoshta mund të mblidhen nënshkrimet e domosdoshme për ta hedhur në votim çështjen e mocionit për rrëzimin e qeverisë, mirëpo këtu do të ketë pastaj pazare të shumta. Duke pasur parasysh që Lëvizja Vetëvendosje nuk është e interesuar të hyjë në një koalicion tjetër qeverisës, por të shkoj drejt në zgjedhje, kjo situatë behet pak sa më e vështirë, sepse partitë tjera politike, para së gjithash PDK -ja, nuk besoj se në ketë situatë është e interesuar të shkoj në zgjedhje”, tha Paçarizi.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës kohët e fundit ka pasur disa luhatje, për shkak të mosmarrëveshjeve që kanë lindur ndërmjet partive partnere të koalicionit, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate.

Mosmarrëveshjet, kryesisht kanë të bëjnë me përfaqësimin e Kosovës në dialogun politik me Serbinë dhe emërimin e Skender Hysenit, si koordinator shtetëror i Kosovës në këtë dialog.