Monumentet ‘Heroinat’ dhe ‘Kurbetçarët’ do të vendosen në qytetin e Gjilanit

Qyteti i Gjilanit, shumë shpejt do t`i ketë në edhe monumentet për Heroinat dhe Kurbetçarët. Për këtë qëllim, kryetari i Komunës, Lutfi Haziri ka mbajtur sot takim me komisionin për vendosjen e monumenteve “Heroinat e Gjilanit” dhe “Kurbetçarët”, për të parë mbarëvajtjen e punëve.

Drejtoresha për Kulturë, Rini e Sport, Deniza Limani, ka thënë se projekti është duke ecur në mënyrën më të mirë dhe shumë shpejt do të nis puna konkrete e vendosjes së monumenteve.

Limani tha se është duke u punuar në gjetjen e lokacionit meritor për këto monumente dhe monumente të tjera gjatë të ardhmes.

Mes tjerash drejtoresha Limani, ka potencuar se projekti do të kalojë edhe në dëgjim publik të artistëve, ekspertëve të fushës së planifikimit dhe arkitekturës, por edhe grupit të grave e më pas do të hapet thirrja publike për idenë më të mirë apo thirrjen për realizim të projektit të vendosjes në bazë të specifikacioneve që komisioni do t’i precizojë.