Mos dil, mos u bën ti ai që e dërgon virusin në shtëpi!

Nedihe Gashi-Fejzullahu

Sot vdiq njeriu i parë nga Covid 19, në Kosovë. Shpresojmë të ketë qenë i pari dhe i fundit.

Sot vdiq burri i një gruaje, babai i një djali apo vajze, gjyshi i një mbese apo nipi.

Ceremonia mortore do t’i bëhet vetëm nga familja e ngushtë, sepse situata nuk lejon ndryshe.

Janë edhe mbi 30 të konfirmuar pozitiv e ndoshta mbi 300 brenda familjeve të tyre të gjëra, që ndoshta kanë infektuar edhe mbi 300 të tjerë.

Bëjeni llogarinë ju, njerëz të dashur. A është i mjaftueshëm ky numër i supozuar, që të kollabon sistemi ynë edhe ashtu i lodhur shëndetësor?

Sëmundja gjunjëzoi edhe sisteme shumë më të përparuara se ne. Prandaj, të punojmë së bashku që të dalim mendjendritur dhe faqebardhë.

Është një zinxhir që mund ta këpusim. Për ta këputur një zinxhir të tillë, nuk na duhet forcë e madhe.

Secili nga ne apo ju, ka në shtëpi një baba apo nënë në moshë, një motër apo vëlla me sëmundje kronike, që do ta ketë të vështirë përballjen me këtë virus.

Mos u bën TI ai që e dërgon virusin tek ata.

Virusi nuk ka krahë të fluturojë dhe as këmbë të ecë.

Ti je ai që do ta dërgosh te personat me imunitet të dobët.

MOS I JEP KRAH TË KEQES. MOS DILNI NGA SHTËPITË. MOS E VIZITONI ASKËND. RRINI NË SHTËPITË TUAJA.

BEHARI KA DALË. DURIM! DO TA SHIJOJMË BASHKË PRANVERËN!