Muja punoi me përkushtim të madh në avancimin e kulturës fizike

Selim Muja, pedagog shumëvjeçar i kulturës fizike, rrugëtimin e tij prej profesori e nisi si 24-vjeçar, ku punoi për 7 vite, 6 në Dobërçan dhe 28 të tjera në shkollën fillore “Selami Hallaqi”të qytetit në Gjilan.

Profesor Selim Muja ishte një ndër themeluesit e KF Kika të Hogoshtit, në vitin 1974, i cili u rreshtua për 10 vite në këtë klub. Ishte një sulmues i denjë, i cili e tregonte veten në fushën e gjelbër.

Po ashtu, për një kohë, ishte edhe trajner i grupmoshave të reja të KF Gjilani. Nga veprimtaria e tij prej një trajneri të suksesshëm, kanë dalë shumë talente të reja, të cilët ishin emra të mëdhenj të ekipeve tona.

Përgjatë shërbimit si pedagog, por edhe si trajner i futbollisht, Muja ishte njeri i cili është shpërblyer për sukseset dhe të arriturat e tij. Edhe nxënësit e tij, shpeshherë janë shpërblyer dhe kanë zenë vene të rëndësishme në gara republikane.

Selim Mujën e ka vizituar nënkryetari i Komunës, Arbër Ismajli, për ta përgëzuar për punën që ka bërë në gjithë këto vite.

“Veprimtaria e Selim Mujës në sektorin e kulturës fizike, është investim në gjenerata, prandaj falë punës që ka bërë, ky emër i madh do të jehojë gjatë në mendjet e shëndosha të të gjithë nxënësve dhe sportdashësve, të cilët e njohin kontributin e tij të veçantë”, ka thënë Ismajli.

Ai e ka cilësuar Mujën një njeri pozitiv e me përplot përkushtim, i cili rrjedh prej një familje intelektuale dhe me arritje, që ishin frymëzim për shumë breza./mediafokus.info