NATO flet për marrëveshjen “sekrete” me Thaçin, që ndalon hyrjen e FSK-së në Veri

NATO ka konfirmuar për GazetaBlic se ekziston një marrëveshje që pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës nuk duhet të lëvizin në pjesën Veriore të vendit pa njoftim paraprak të tyre.

Një zyrtar i NATO-s i ka thënë portalit GazetaBlic se aktualisht janë duke rishikuar nivelin e angazhimit të trupave të NATO-s, pas vendimit për tranzicion të FSK-së.

“Në të njëjtën kohë, pas vendimit për tranzicionin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ne tani po rishikojmë nivelin e angazhimit të NATO-s me FSK-në. Ky diskutim po vazhdon”, tha ai.

Ky zyrtar i NATO-s i tha GazetaBlic se çdo lëvizje e FSK-së në pjesën veriore të Kosovës duhet të bëhet me njoftim paraprak dhe me marrëveshje nga Komandanti i KFOR-it.

“Misioni i KFOR-t ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor për 20 vitet e fundit. Këtë vit, ne shënojmë 20 vjet nga fillimi i KFOR-it. Misioni ynë mbetet i pandryshuar, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të KB. Ne jemi atje për të mbajtur një mjedis të sigurt dhe qetë për të gjithë njerëzit në Kosovë, dhe kjo është ajo që ne po bëjmë. Mandati ynë nuk ka ndryshuar dhe ne do të vazhdojmë misionin tonë paqeruajtës”, tha ndërt tjera ai, duke refuzuar të përgjigjet në pyetjet se a ka qenë sekrete kjo marrëveshje, dhe në mbi çfarë baze është nëshkruar ajo ndërmjet ish-Kryeministrit Hashim Thaçi dhe NATO-s.

Tutje, NATO ka bërë të ditur se e mbështet rifillimin e dialogut të sponsorizuar nga BE midis Beogradit dhe Prishtinës si zgjidhja e vetme politike e qëndrueshme për rajonin./GazetaBlic/