Kjo është gruaja që u përkujdes për viktimat e dhunës në familje për njëzet vite

Nazife Jonuzi ka bërë një punë të jashtëzakonshme për viktimat e dhunës në familje, duke themeluar në Gjilan Qendrën për Mbrojtjen dhe Rehabilitimin e Grave dhe Fëmijëve, e para e këtij lloji në Kosovë, e cila për 20 vite shërbeu si një shtëpi e dytë për shumë viktima të kësaj dhune.

Për viktimat e dhunës janë ofruar mijëra shërbime këshilluese, juridike, sociale dhe psikologjike nga shoqata “Liria”, e cila udhëhiqet nga Nazife Jonuzi.

Për njëzet vite, ajo ka qenë zëri i grave dhe grupeve të margjinalizuara, shkruan portali Mediafokus.info

“Mbi 20 vite aktivizëm në sferën civile kam qenë zëri i shumë grupeve të margjinalizuara dhe kam punuar e ngritur zërin përmes formave të ndryshme për çështjet shoqërore. Nëse gjithë këtë aktivizëm dikur e kam bërë nga dëshira për ta parë shoqërinë dhe vendin tonë më mirë dhe më të përparuar, kjo shkon edhe përtej dëshirës personale, sepse është obligim kushtetues për të punuar për të mirën publike dhe për të qenë zëri i të gjithëve pa dallim. Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të pandashme, të patjetërsueshme dhe janë bazë e rendit juridik. Unë do t’i mbrojë dhe respektojë liritë dhe të drejtat e të gjithëve, pa dallim edhe si anëtare e Këshillit për Ndihmë Juridike Falas e, edhe si qytetare”, ka thënë Jonuzi.

Edhe pse demokracia i ka dhënë fund mbretërisë së burrave mbi gratë, dhuna në familje, ende mbetet një problem serioz në shoqërinë kosovare. Statistikat zyrtare tregojnë për një rritje të dhunës, apo ndoshta bëhet fjalë për një rritje të vetëdijes së grave për të raportuar dhunën.

Përndryshe në Gjilan ekziston edhe Mekanizmi Koordinues Kundër Dhunës në Familje./Mediafokus.info