Ndahet nga jeta infermieri Murtez Rexhepi

Sonte në Viti, në moshën 79-vjeçare, ka ndërruar jetë infermieri Murtez Rexhepi.

Rexhepi kishte filluar punë si infermier në spitalin e Shkupit, prej nga, rreth vitit 1983  ishte transferuar në Shtëpinë e Shëndetit në Viti, njofton plus.tv

Në kohën e okupimit, ai ishte larguar dhunshëm nga puna sikur të gjithë kolegët e tij, pasi ishte aktiv në jetën politike duke kërkuar me këmbëngulje të drejtat që u takonin shqiptarëve.

I gjendur në një situatë të vështirë, Murtez Rexhepi angazhohet në Ordinancën private “Vita” në Viti, e më pastaj në ambulancën “Nëna Terezë” në Viti.

Ai ishte edhe zv/kryetar i SH.H.B “Nëna Terezë”, sektori për shëndetësi.

Rexhepi gjithashtu kishte kontribuar edhe gjatë luftës së fundit të vitit 1999.

“Ishte impresionues, me karakter të fortë, shpirt human dhe mbi të gjitha kishte qëndrime të forta për kauzën kombëtare” – kështu e përshkruan kolegu i tij Dr. Feti Hetemi.

Me vdekjen e Murtezit, Vitia ka humbur sot një njeri me vlera të larta humane e kombëtare.

Varrimi i të ndjerit do të bëhet nesër (e enjte) në ora 13:00 në varrezat e qytetit të Vitisë.