Ndahet nga jeta valltari lirik, Xhemajl Rrahimi

Njëri ndër valltarët më të mirë të Grykës së Karadakut, Xhemajl Rahimi, nga fshati Stançiq, me vendbanim në Zhegër, nga sot e tutje i takon amshimit.

Shokju i tij i ansamblit “Bajram Curri”, Shaqir Rrustemi ka bërë një dedikim të veçantë për të.

Ai, përpos disa problemeve tjera shëndetësore, ishte infektuar së fundmi edhe nga virusi vdekjeprurës Covid – 19, që ia përshpejtoi vdekjen dhe na e mori pa e parë, madje edhe pa ia bërë nderimet sipas traditës sonë me shekuj e shekuj.

Vdekja u tregue e pamëshirshme ndaj tij, anise ishte një familjar shembull për të tjerët, një shok e mik i rrallë, një punëtor i palodhur i këtij vendi dhe mbi të gjitha, një Njeri që do të kujtohet gjatë.

Ansambli i Muzikës Autoktone “Bajram Curri” nga Shurdhani, me këtë rast, ka mbetur pa valltarin thuaja më të mirin, i cili la nam nëpër skenat kulturore brenda e jashtë Kosovës, për një periudhë mëse 40 vjeçare.

Do të mbahet mend dhe do të cilësohet ndër valltarët më lirik të valles burimore shqiptare, paraqitja e të cilit u duartrokit gjatë nëpër skenat kulturore kudo që u paraqitëm.

Vdekja e Xhemajlit, është një humbje e madhe jo vetëm për Ansamblin tonë po edhe për folklorin burimor shqiptar.

Në këto momente të rënda për Familjen e tij dhe miqtë e shumtë, ne si Absambël jemi me ta dhe i inkurajojmë për të gjetur forcë e për ta përballuar këtë dhembje.

Duke iu shprehur ngushëllime të thella në emër të të gjitha brezave të këtij Ansambli me emër, ne i sigurojmë si familjen, miqtë, ashtu dhe gjithë të tjerët që e njohën dhe e deshën këtë valltar të shquar se, emri i tij do të jetë emër mburrje e krenarie për Ansamblin e Muzikës Autoktone “Bajram Curri” nga Shurdhani, si dhe vlerë e shquar dhe e paharruar e folklorit burimor shqiptar, ka thënë Rrustemi./mediafokus.info