Në cilin manastir të Anamoravës ka simbole ilire

Në regjionin e Gjilanit gjenden objekte arkeologjike të shekullit X. I tillë besohet të jetë edhe Manastiri i Shën Mëhillit, i cili, sipas regjistrit zyrtar të Institutit Kosovar për Mbrojtjen e Monumenteve, të vitit 1963, i përket shekullit XIV.

Por, ky manastir, me të drejtë mund të konsiderohet më i vjetër se kaq, të paktën për katër shekuj. Sipas zyrtarëve për trashëgimi kulturore në Gjilan, informacionet flasin që manastiri ka qenë vendbanim i peshkopit bizantin në kohën e perandorit Bazili II.

Bazili II i njohur si “Bullgarovrasësi”, në vitin 1018 kishte mundur bullgarët, duke shtrirë pushtetin bizantin në Ballkan.

Në këtë periudhë kohore ishin edhe shqiptarët ata që e ndihmuan Bazilin II në luftë kundër bullgarëve. Po të kihet parasysh fakti se Bazili II jetoi gjatë viteve 976 -1025, atëherë mund të thuhet se Manastiri i Buzovikut i përket së paku shekullit X.

Manastiri përbëhej nga objekti i kishës dhe konaku, kambanorja, sikundër edhe rrethoja prej muri, që tashmë është shkatërruar.

Kisha shtrihet nga perëndimi në lindje. Përmasat e saj janë të një kishe paleokristiane të vogël, përkatësisht 3.70 x 6.40 m. Baza e kishës është e dukshme, ndërsa handraku i mureve anësore, është shtrirë prapa bazës.

Rrethi, simboll i diellit tek ilirët

Lartësia më e madhe e mureve të mbetura, nuk është më shumë se 80 cm. Në lindje të kishës, ende ruhet një pjesë e absidës, ndërsa pranë saj ndodhet altari. Dyshemeja është e shtruar me gurë të punuar, ndërsa në mes të dyshemesë ndodhet një dekorim i posaçëm- rrethi, një simbol astral ilir, që simbolizon diellin.

Ilirët, përkatësisht fisi ilir – dardanët, besuan në dy kulte ilire: në gjarprin dhe në diellin dhe, si duket, këto dy besime u takuan dhe bashkëjetuan në Dardani.

Muret e kishës kanë një gjerësi prej 80 cm. Nga mbetjet, përkatësisht rrënojat, vërehet se kisha është ndërtuar prej gurëve, tullave dhe llaçit prej gëlqeres. Hyrja e kishës ndodhet në perëndim. Kisha është një anijatëshe e cila përfundon në anën lindore me absidën gjysmëharkore. Në anën perëndimore mund të ketë ekzistuar edhe narteksi, për të cilin flet baza e tij e dukshme, por shikuar për nga materiali i ndërtimit (beton), mund të thuhet se narteksi ishte një aneks i mëvonshëm.

Nga konaku kanë ngelur vetëm muret

Në veri të kishës, rreth 12 metra tutje, ndodhet konaku i Manastirit, i cili është i ndërtuar nga gurët, hatullat si element konstruktiv, llaçi prej balte dhe qerpiçët, me të cilët është bërë edhe kati mbi përdhese. Për fat të keq, edhe konaku është prishur. Nga ai janë ruajtur vetëm muret me gurë të përdhesës dhe muret e katit me qerpiçë, po në një lartësi të vogël. Konaku ka përmasat 10 x 17 m.

Një trakt i murit rrethues të këtyre objekteve ndodhet më në veri të konakut, rreth 15 metra larg tij.

Manastiri ka pasur edhe kambanore, por as ajo nuk ekziston më./mediafokus.info/