Në këtë qytet të Kosovës ka më së shumti të vdekur nga koronavirusi

Koronavirusi po vazhdon të marrë jetë në Kosovë. Viktima e 49-të ishte një 78-vjeçar nga Prizreni, qytet ky ku deri tani kanë vdekur 9 persona.

Për vdekjen e 78-vjeçarit njoftoi Klinika Infektive, përmes raportit 24 orësh. Në këtë raport, Infektiva bëri me dije se një ditë më parë kishte vdekur edhe një bashkëvendas i të moshuarit, i cili kishte sëmundje të tjera shoqëruese.

“Mbrëmë në Klinikën Infektive ka ndërruar jetë pacienti J.N. 1963 nga komuna e Prizrenit si dhe sot në orët e hershme të mëngjesit ka ndërruar jetë pacienti R. B. 1942 nga komuna e Prizrenit, të cilët përveç infeksionit me Covid -19 kishin edhe sëmundje shoqëruese”, thuhej në raport.

Ndryshe, Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se situata me koronavirus në Kosovë “është nën kontroll të brishtë”.

Në një konferencë për media në Prishtinë, pas takimit të Komitetit për menaxhimin e situatës me koronavirus, Hoti tha se Klinika Infektive është e stërmbushur me pacientë me koronavirus dhe se atje nuk ka më vende për njerëz.

“Janë duke u krijuar vende shtesë nëpër spitale rajonale”, tha ai.

Hoti bëri thirrje që të zbatohet plotësisht vendosja e maskave, distanca fizike dhe larja e duarve.

Hoti tha se ata që nuk i zbatojnë masat, do të përballen me ligjin.

Ndërkohë, Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, dhe drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, Naser Ramadani, i bënë jehonë thirrjes së Hotit, duke thënë se moszbatimi i masave do të sjellë pasoja.

Kosova bën pjesë edhe në listën e 11 vendeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë që përballen me transmetim të shpejtë të sëmundjes Covid-19./mediafokus.info