Në odat shqiptare janë marrë vendime me rëndësi historike

Odat shqiptare historikisht kanë qenë vende ku burrat kanë marrë vendime të mëdha e të rëndësishme jo vetëm familjare e shoqërore, por edhe kombëtare. Për shekuj të tërë odat kanë qenë edhe simbol i burrërisë, i besës dhe mikpritjes shqiptare. Tani odat janë vetëm vlera të trashëgimisë kulturore.

Oda të tilla ka pasur edhe në rrethinat e Gjilanit. Në fshatin Cernicë ka qenë e njohur oda e Mulla Halimit, e ndërtuar në fillim të shekullit XX, të cilën e mbajti gjallë tribuni Ramiz Cernica, deri më 1964, kur u shpërngul në Fshatin e Vjetër, komuna e Ferizajt.

Ajo kishte, përveç trapazanëve e minderit, edhe oborr të veçantë, ku miqtë mund të hynin edhe pa thirrur, sepse gjithnjë oda ishte e hapur. Kjo odë nuk ekziston më.

Ramiz Cernica ka qenë një tribun i njohur popullor i kësaj ane, i cili luftoi për bashkimin e trojeve shqiptare. Ai e donte popullin e vet, por nuk urrente popujt tjerë. Kjo ishte veti e burrave të mëdhenj si Ramiz Cernica, që ishin rritur në këto oda shqiptare, ku merreshin vendime të mëdha e të rëndësishme.

Në vitin 1945, Ramizi, si delegat i rrethit të Gjilanit në konferencën e Prizrenit, u deklarua kundër aneksimit të Kosovës nga ana e Serbisë, duke shprehur njëkohësisht vullnetin e popullit të Kosovës për bashkim me Shqipërinë. Ai la pas një “JO” historike në raport me Serbinë, e cila u ngulit thellë në shpirtin dhe mendjen e popullit dhe një “PO” të madhe për bashkim me Shqipërinë. Ëndrra për një komb të bashkuar vazhdon edhe sot.

Në fshatin Cërnicë të Gjilanit gjendet Oda e Mulla Vehbiut, më vonë pronë e nipit të tij, Fevzi Hoxha dhe tani, e djemve të tij. Oda është ndërtuar në vitin 1928. Sipërfaqja e odës është rreth 50 m/2. Në enterier janë ruajtur elementet origjinale, si jyklyku që përdorej për vendosjen e dyshekëve dhe jorganëve, trapazanët në të dy anët e odës, në hyrje të saj.

Oda ka qenë e rrethuar me mindere, ka pasur dollapë ku janë mbajtur takëmet e kafesë, sheqeri, duhani etj. Kafeja e duhani ishin “almise” të domosdoshme në një odë burrash. Me to nisej muhabeti e mbanin kuvend burrat e fisit.

Odat, zakonisht bëheshin në fund të oborrit, afër rrugës, për të pasur më lehtë qasjen mysafirët, të cilët kanë mundur të kthejnë edhe vonë natën.

Në rajonin e Gjilanit ka pasur edhe oda tjera që kanë qenë të njohura, qoftë si oda burrash, qoftë si oda të miqve. Një odë e këtillë etnologjike ka ekzistuar edhe në fshatin Llashticë. Njihet si oda e Bejtullah Selimit, ose siç quhej ndryshe Bejta i Llutës. Kjo odë e ndërtuar në mbarim të shekullit XIX, nuk ekziston më.

Në vitet e mëvonshme, odat kanë filluar të braktisen, si njësi më vete, duke ndërtuar brenda shtëpive të banimit dhoma të veçanta për miq e mysafirë.