Në QKUK dhe spitale rajonale mungojnë barnat për trajtimin e pacientëve me Covid-19

Barnat për trajtimin e pacientëve me Covid-19 po mungojnë në QKUK dhe spitale rajonale. Vetëm njëra prej tri terapive për trajtimin e pacientëve me këtë infeksion gjendet në stoqet e barnatoreve të QKUK-së.

Këtë ankesë e ka edhe një pacient në Spitalin e Gjilanit, i cili ka thënë se barnat duhet t`i blejë vetë.

‘Në spitalin e Gjilanit, ku përfundova me Covid-19, nuk ka fare barna qe 10 ditë. Të gjithë i blejnë me një kosto shumë të shtrenjtë….’, ka deklaruar ky pacient për mediafokus.info

Gjendja e njëjtë paraqitet edhe në QKUK, ku mediat raportojnë për mungesë të barnave për pacientët me Covid-19.

QKUK-ja ka në dispozicion vetëm hidroksiklorokinën, e cila rekomandohet për trajtim tek pacientët me Covid-19.

“Ju njoftojmë se Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës është i furnizuar me sasi të mjaftueshme me Hydroxychloroquine”, është thënë në këtë përgjigje.

Ndërsa, Shërbimi Klinik, Spitalor e Universitar i Kosovës (SHKSUK) pret që të furnizohet me dy barnat e tjera antivirale, përkatësisht Remdesevir dhe Favipiravir.

“Sa u përket produkteve të tjera, presim së shpejti, pas aprovimit të ministrit të Shëndetësisë të propozimit të Grupit profesional të Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale për zbatimin e masave të veçanta që AKPPM-ja të lëshojë licencë importi pa autorizim të marketingut për produktet për përdorim tek pacientët me Covid-19 si: Remdesivir, Favipiravir, por edhe Hydroxychloroquine”, shkruan koha.

Infektologët thonë se kanë parë efekte pozitive tek pacientët e trajtuar deri më tani me Hidroksiklorokinën.

“Hidroksiklorokinën e kemi në dispozicion dhe e kemi aplikuar prej fillimit. Atë e kemi përdorur prej marsit tek rastet indikative pothuajse tek secili pacientë. Te trajtimi i pacientëve nuk është me rëndësi vetëm dhënia e barit, por edhe koha e dhënies. Gjetja e kohës më të favorshme është përgjegjësi dhe shkathtësi e mjekut klinik, i cili duke bërë vrojtime klinike dhe shqyrtime të parametrave të gjejë kohën më të përshtatshme. Dhënia e këtyre barnave në kohën e duhur dhe dozimin e duhur dhe monitorimin i tyre dhe duke evituar efektet anësore të tyre është treguar edhe tek pacientët me efekte të mira”, thotë infektologu Sali Ahmeti.

Ndërsa, mungesa e Favipiravirit dhe Remdesevirit ka detyruar pacientët që t’i sigurojnë ato përmes rrugëve të tjera.

“Kemi sasi të mjaftueshme të Hidroksiklorokinës, mirëpo Favipiravir dhe Remdesevir kemi dhënë tek pacientët që e kanë siguruar përmes rrugëve private. Por, aprovimi i sigurimit të këtyre barnave nga ana e MSH-së është veprim i mirë, i cili pa diskutim do të ndikojë në rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore”, thotë Ahmeti.