Në rrugëtimin e lirisë, Arben Ramadani ishte nisur herët

Nijazi Ramadani

(Në përkujtim të 20-vjetorit të rënies heroike të dëshmorit Arben Ramadani)

Arben Ramadani (1981-2000) ishte një ndër të parët që mori pjesë në përgatitjen e luftës së UÇPMB-së, duke pasur një përvojë në furnizimin dhe ruajtjen e armatimit gjatë dhe pas luftës së UÇK-së.

Arbeni shërbeu në kuadër të Brigadës 113 “Ibrahim Fejzullahu”, Zona Operative e Preshevës, krahas me djemtë më të mirë të atdheut, prandaj ai edhe vepra e tij janë të pavdekshme, siç janë edhe ata vetë të pavdekshëm me gjakun e derdhur për lirinë e shtrenjtë.

Bashkëluftëtarët e tij thotë se Arbeni ishte ushtar i heshtur, besnik dhe i përmbajtur që shquhej për guxim dhe kryerje të detyrave ushtarake.

Duke qenë në radhët e para të luftëtarëve të Luginës, ai ra dëshmor i parë, duke kaluar zonën kufitare me njësitin e tij.

Arbani ishte djalë me zemër të pastër, energjik, i dashur, i buzëqeshur me të gjithë, por nuk i duronte padrejtësitë dhe prandaj luftonte gjithmonë kundër tyre.

Në pranverën përmbyllëse të këtij mileniumi, ai ishte nisur drejt përjetësisë, ku bashkohet me heronjtë tjerë që i dhanë hakun armikut, i cili pas tërheqjes nga Kosova, ishte barrikaduar në tokat tona të Luginës.

Arbeni u vu në mbrojte të popullatës së kësaj ane, duke u dal përballë bandave kriminale të pozicionuara në këtë pjesë.

Më 19 maj, në një luftë të pabarabartë, por të guximshme nga ana jonë,  Arbeni qëllohet për vdekje nga plumbat e armikut.

Përkundër përpjekjeve të paqeruajtësve për t`ia shpëtuar jetën, Arbeni mbylli sytë përgjithmonë, për të mos vdekur kurrë.

Çdo 19 maj, familja dhe shokët e kujtojnë me krenari dëshmorin, i cilin arriti epitetin dhe shkallën më të lartë, dinjitet njerëzor dhe kombëtar.
Ai, me shokë, na dha mundësinë të gëzojmë lirinë në shtëpitë dhe trojet tona.

Atij nuk kiu dhimbs jeta, edhe pse ishte akoma në lulëzim të saj. Mes lirisë së popullit të tij dhe vdekjes personale, ai e zgjodhi këtë të dytën.

Liria ishte qëllimi i tij kryesor. Në këtë rrugëtim, Arben Ramadani, ishte nisur herët.