Në tokën ku nuk ka jetë

Jeta gjallon në tokë edhe në kushtet më ekstreme, nga i nxehti përvëlues i shkretëtirave tek akujt e ngrirë të Arktikut, apo puset toksikë.

Por shkencëtarët kanë zbuluar një vend në Etiopi ku jeta nuk arrin ta gjejë rrugën e saj. Në Dallol, një prej mjediseve të planetit tonë me kushtet më ekstreme, nuk ka asnjë gjurmë mikroorganizmash. Ky vend është tmerrësisht nxehtë, i kripur dhe acid, transmeton Top Channel.

Pellgjet e tij shtrihen në një krater vullkanik në ultësirën Danakil, e janë të mbushur me ujë të vluar, kripë, e gaze toksike, pasojë e një aktiviteti ekstrem hidrotermal. Edhe në dimër, temperaturat gjatë ditës i kapërcejnë 45 gradët Celsius, e disa prej pishinave natyrore super acide e të kripura të kësaj zone, kane vlera negative pH. Rezultatet e zbulimit u botuan në revistën shkencore Nature Ecology & Evolution.

Shkencëtarët i kanë përdorur provat e jetës në ambiente ekstreme në Tokë, si një analogji për kushtet kur jeta mund të ekzistojë edhe në planetë të tjerë të sistemit tonë diellor apo mbase, edhe përtej tij.