Në vend të përkujtimit: Burri që u kalit nëpër dhembje

Edhe pse ishte rritur jetim, vetëm në duart e nënës, ai kishte trashëguar të gjitha vlerat burrërore të të atit, Sefës, i cili ka rënë në Luftën e Dytë Botërore, në ish-Jugosllavi, gjatë kohës së shërbimit ushtarak.

Këtë burrë malësor, të urtë, të sinqertë, të ditur e të drejtë, nuk e bënte të veçantë e të dashur në çdo rreth ku gjendej, vetëm pamja e jashtme, por edhe humori i tij i lehtë dhe i këndshëm dhe mbi të gjitha kontributi që ai dhe familja e tij kanë dhënë në çështjen kombëtare dhe proceset tjera nëpër të cila ka kaluar shoqëria kosovare, si para, ashtu edhe gjatë e pas luftës.

Ismajl Sherifi, mësimet e para dyvjeçare i mori në shkollën e fshatit, gjatë viteve 1948/1950. Pas mbarimit të shkollës, u mor me bujqësi e tregti, deri në moshën 20-vjeçare, kur i erdhi ftesa për të shkuar në shërbim ushtarak. Pas mbarimit të ushtrisë, më 1963, i kthehet familjes dhe jetës në fshat.

Duke e parë zgjuarsinë, mendjemprehtësinë dhe aftësitë oratorike të tij, Komiteti për Arsim, Zyra në Gjilan, e zgjodhi Ismajl Sherifin për kryesues shkolle për katër vite. Më vonë, falë punës dhe angazhimit të tij, në vitin 1968, zgjidhet përfaqësues i fshatrave Verbicë, Zhegoc dhe Parallovë, për një mandat 4-vjeçar.

Më vonë, Ismajlit i kërkohet që të kryej punën e portës (1972-1988) prej nga, për shkak të mospajtimeve të thella ndaj gjykimeve selektive dhe arbitrare të shqiptarëve, tërhiqet.

Ismajl Sherifi njihet edhe si pajtimtar i gjaqeve, plagëve e ngatërresave në Malësinë e Zhegocit, ku ka ndërmjetësuar në pajtimin e shumë familjeve të kësaj ane.

Me të filluar lufta në Kosovë, ku përfshihet edhe fshati Verbicë e Zhegocit, Ismajli së bashku me familjen e tij, sikurse bashkëfshatarët tjerë, detyrohen të largohen nga shtëpia, duke ia kthyer shpinën pasurisë dhe vendit ku i kishte kaluar mbi 60 vite jetë.

Breshëritë e granatimeve nga një pozicion ballor (15 prill 1999), i detyrojnë banorët që të mësyjnë malet dhe të kalojnë natën nën qiellin e hapur. Por as këtu, Ismajli me bashkëfshatarë, nuk lihen të qetë nga pushteti shovinist serb, i cili po i ndiqte hap pas hapi, pasi që vëllai i tij, Sherif Sherifi, i biri Mustafa dhe fqinjët e tij, Shaban e Qerim Beqiri si dhe nipi Enver Pacolli, po kërkoheshin me emër e mbiemër për t`u ekzekutuar, si pjesëtarë të UÇK-së, e cila e kishte Shtabin në Zhegoc.

Nga kjo përndjekje, në vendin e quajtur Lugu i Mrizit, bien dëshmorë Sherif Sherifi dhe Enver Pacolli, kurse Ismajli plagoset. Me plagë në trup, ai vazhdon rrugëtimin tutje.

Ismajli me familjarë e kaloi një muaj në Ferizaj, por as aty nuk lihet rehat dhe detyrohet të marrë rrugën në drejtim të Maqedonisë.

Me të arritur në kufirin Kosovë – Maqedoni, Ismajl Sherifi jep intervistë para mediave ndërkombëtare, të cilat ishin kureshtare të dinin se çfarë po ndodhte në Kosovë, prej nga po vinin këto familje dhe ku po shkonin, për të vrarët, të plagosurit…

Ismajli, me plis në kokë dhe me një pamje që shpreh dhimbje dhe krenari njëkohësisht, rrëfen për vrasjen e vëllait Sherifit si dhe disa të tjerëve, për shtëpitë e djegura, për vuajtjet dhe peripecitë e popullatës civile.

Në Maqedoni qëndroi gjashtë javë dhe pas kësaj kohe, me hyrjen e forcave të NATO-s, në Kosovë, ai kthehet  në vendlindje.

Kthimi ishte, sa i ëmbël, po aq edhe i vështirë për Ismajlin. Ishte moment i vështirë, sepse për herë të parë, po takohej me kufomën e vëllait, Sherifit, që kishte rënë dëshmorë te Lugu i Mrizit dhe, me bashkëvendës të tij, kryen ceremoninë e rivarrimit të eshtrave, në vendin e quajtur Drum, ku tani e ka lapidarin.

“Nuk kish më vështirë se me i rivarros eshtrat e vëllait”, kishte thënë Ismajli, i cili pjesën tjetër të jetës, derisa vdiq më 14 tetor 2018, e kaloi në Gjilan.

Ajo çfarë e dallonte Ismajlin nga të tjerët, jo vetëm në Vërbicë e Gjilan, por gjithandej në Kosovë, këtë njeri të dhembjeve, sfidave e sakrificave, ishte dashuria për vlerat kombëtare, të cilat ky burrë shtatlartë, i pashëm dhe i zgjuar, i bartte me krenari./Mediafokus.info