Nëna Xhemile i përjetoi tri lufta dhe i mbijetoi qindra sfida në jetë

Kjo grua ka bërë jetë të vështirë. U martua e re, 17-18 vjeçe, në kohë lufte e skamje të madhe. Mbas dy viteve e lindi një djalë. E pagëzuan Rexhep, me emrin e kunatit, të cilin serbët e kishin mbytur, bashkë me një shqiptar.

Pas nëntë muajsh, djalin ia la kunatës dhe vetë e mori pushkën e shkoi tek burri në mal. Kur u kthye në shtëpi, tetë muaj më vonë, djali nuk deshi t`i shkonte. Ishte mësuar e rritur me gruan e mixhës.

Sfida e dytë e kësaj malësoreje ishin punët e bujqësisë të cilat u desh t`i bëjë vetë, për të mbijetuar, derisa burri Hisen Kadriu bënte jetë kaçaku në mal.

Kur brigada e 17 serbo-maqedonase ia kallën shtëpinë, më 15 janar 1945, në një acar të madh, asaj iu desh t`i marrë fëmijët përdore dhe t`i çojë në komshi, që t`i shpëtojë nga serbët.

Ajo e përjetoi edhe sfidën e tretë në jetë, luftën e vitit 1999. I biri i saj Asllani kujton tek thoshte: “Tri lufta i përjetova, por luftë më të fëlliqtë se këtë nuk kam parë. Serbët e zinj vranë pleq, gra, fëmijë, dhunuan… Këto nuk i bën asnjë milet tjetër pos serbëve”.

Asllani kujton po ashtu thirrjen e nënës: “O Asllan, afrohu më afër se po dua me ta thënë një fjalë: Ndoshta të vjen rëndë, po pashë atë gji që ta kam dhënë, një amanet po dua me ta lënë, edhe në vdeksha, tek dera karrige mos me lënë, se marre është për një plakë me qel të pame, kur e dimë se çfarë bënë këta derra në familjen Jashari dhe familjet tjera në Kosovë”.

Atëherë i thashë: Hajt nënë, mos u bënë merak, se lirinë kemi me e fitua bashkë.

Nëna e sfidave të shumta, nuk mungoi as në demonstratat e grave shqiptare. E vuri në kokë një shami të bardhë dhe u bashkua me gratë në Prishtinë. Një shok i tregon djalit të saj, Asllanit se si nëna e tij, 86-vjeçare, me shami të bardhë në krye po ju printe grave në Prishtinë.

Kishte frikë se nuk do të arrinte ta priste lirinë.

“Boll kemi hjek, ishalla ky popull nuk heq ma. Me të lypë bukë fëmija e mos me pas me i dhënë, nuk ka ma rëndë”.

Nëna heroinë, Xhemile Gerbovci, ishte e kënaqur që burri i vdiq në krevat, pranë fëmijëve, kurse për vete thoshte se bashkëshortit do ta çojë lajmin më të mirë, se në Kosovë ma Serbia s`ka me sundua./mediafokus.info