Nëse Kushtetuesja e lejon hyrjen në fuqi të Ligjit të pagave, Kurti do ta ketë pagën 2151 euro

Qeveria e Kosovës ka miratuar të mërkurën shfuqizimin e vendimit për rritjen e pagave që e kishte marrë Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj në dhjetor të 2017-s.

“Pagat kthehen me rregullimin e mëhershëm. Ky vendim nuk ka efekt në Gjykatën Kushtetuese e as në sistemin juridik”, ka thënë Kurti, në mbledhjen e sotme.

Sipas këtij vendimi, kryeministri Albin Kurti, nga 2950, ia ka zbritur pagën vetit në 1500 euro.

Por, sipas Burim Halitit, njohës i çështjeve juridike-financiare, ky vendim i qeverisë së Albin Kurtit mund të zgjasë pak ditë.

“Ligjin e pagave Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar deri me datë 28 shkurt 2020 dhe pas kësaj date skadon afati i pezullimit të vendosur nga instanca më e lartë gjyqësore dhe juridikisht ligji hyn në fuqi në mënyrë retroaktive nga data 1 dhjetor 2019. Kjo situatë ndodh nëse deri me 28 shkurt Gjykata nuk vendos ndonjë zgjidhje tjetër për suspendim të ligjit me aktgjykim kushtetues”, thotë Haliti për Mediafokus.info.

Sipas tij, nëse Gjykata Kushtetuese nuk vendos ndryshe, atëherë kryeministri do ta marrë pagën me Ligjin e pagave, me koeficientin nëntë, e që paga bruto i bie të jetë saktësisht 2151 euro.

“Nëse Ligji i pagave hyn në fuqi, atëherë kryeministri, zv kryeministri, ministri dhe zv ministrat obligativisht marrin pagat sipas koeficientëve të ligjit të pagave. Pas hyrjes në fuqi të ligjit të pagave, kryeministri nuk ka fuqi juridike për ta ul pagën e tij dhe kabinetit të tij, por vetëm organi ligjvënës, Kuvendi, i cili mund ta bëjë përmes ndryshimeve ligjore”, ka sqaruar Haliti./MediaFokus/