Nesër nis ‘Vjeshta letrare e Gjilanit’

Maratona më e gjatë letrare në Kosovë, “VJESHTA LETRARE E GJILANIT”, që organizohet nga Ars Clubi “Beqir Musliu”, në bashkëpunim dhe me Bibliotekën e Qytetit “Fan S. Noli”, nis këtë të shtune, më 17 tetor, në njërën nga sallat e Bibliotekës së Gjilanit, me një shkrimtar mysafir, Pandeli Koçin dhe me dy libra të tij, të cilat janë botuar tash së voni edhe në Kosovë dhe që për herë të parë paraqiten para lexuesve të anës së këndejme të Drinit.

Janë dy novela të këtij shkrimtari, njëra e botuar nga Shtëpia botuese “Beqir Musliu” e Gjilanit, me titullin ‘ZJARR’ dhe tjetra e botuar nga Shtëpia botuese “Saga”, Prishtinë, me titullin ‘KËRKIMI’, që hapin veprimtaritë letrare të edicionit të njëmbëdhjetë të këtij manifestimi, i cili kryesisht është organizuar dhe mbajtur nga vullneti i pashoq i krijuesve dhe i mbështetësve të librit si dhe, herë pas here edhe me mbështetjen e institucioneve komunale të Gjilanit (DKRS dhe Biblioteka e Qytetit).

Si dhe edicioneve të kaluara, në çdo dy javë, të shtunave n’Dymbëdhjetë, në Bibliotekën e Qytetit dhe, në kushte dhe rrethana të lejueshme të kësaj kohe pandemike, do të organizohen dhe katër veprimtari të tjera, ku, më 31 tetor 2020 do të përurohet romani i shkrimtarit gjilanas, MOS E HARRO JAPONINË, SUZANË, pastaj, pas dy javësh, më 14 nëntor përmes një vlerësimi letrar do të nderohet njëri nga shkrimtarët më të shquar të Kosovës, gjilanasi Musa Ramadani, i cili shkoi në amshim qysh në fillim të kësaj pandemie (10 mars 2020) dhe, do të përmbyllet me dy veprimtari letrare gjatë dhjetorit (5 e 19 dhjetor) ku do të përurohet një libër me shkrime kritike për veprat e shkrimtarit të shquar të Kosovës, Ibrahim Kadriut, përgatitur nga dr. Labinot Berisha, “Qasje veprave të Ibrahim Kadriut” dhe, me paraqitjen e botimeve të këtij viti, më 19 dhjetor 2020 përmbyllet ky edicion.

Në emër të organizatorit, udhëheqësi i Ars Clubit, Sabit Rrustemi ka thënë se  presin një bashkëpunim të frytshëm krijues në paraqitjen dhe vlerësimin e veprave të reja, praninë e tyre (anise me kufizime, shkaku i pandemisë COVID – 19) në këto veprimtari, po edhe mirëkuptimin nga ardashës të shumtë, të cilët kësaj here mund të mos marrin pjesë si herave tjera por, do të jenë të njoftuar me kohë me të gjitha rrjedhat e manifestimit.