Nga sot diaspora nuk paguan për kartonin e gjelbër në Kosovë

Nga sot diaspora nuk paguan për kartonin e gjelbër nëse vjen në Kosovë. Shpenzimet i merr përsipër qeveria e vendit, ndërkohë që pritet një zgjidhje.

Zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Sokol Havolli ka njoftuar se në minutat e parë të ditës së sotme është printuar polica e parë e sigurimit kufitar për diasporën me zero kosto.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Havolli ka thënë se në vazhdim duhet të punohet për anëtarësimin e Kosovës në Kartonin e Gjelbër.

Sipas Havollit, për të arritur këtë është e domosdoshme ulja e numrit të automjeteve të pasiguruara në vend.

“Punët në vazhdim duhet të orientohen në anëtarësimin e Kosovës në Kartonin e Gjelbër, e përkohësisht të sigurojmë të drejtat tona përmes ndonjë shteti mik të Kosovës. Për të arritur këtë, është e domosdoshme ulja e numrit të automjeteve të pasiguruara në vend”, ka shkruar Havolli./mediafokus.info/