Nijazi Ramadani, një udhëtim poetik 40 vjeçar

Njazi Ramadanin, shkrimtar e publicist, kritika letrare e ka vlerësuar si një ndër autorët më të angazhuar të pas viteve ‘90-ta në letrat e sotme shqipe në Kosovë.

Ramadani është mjeshtër i rimës, muzikalitetit ritmik, por edhe stilit modern të të shkruarit të poezisë, ku shpërfillet rima.

Në poetikën e tij, shihet se Ramadani ka formësuar imazhet e kohës nëpër të cilën kaloi vetë ai, duke reflektuar përmes figurëshmërisë, metaforave të thurura si dhe përmes vargjeve të një strukture poetike moderne universale, por edhe si vrojtime artistike të tij, për ndonjë proces apo ngjarje, të thëna me një gjuhë të fuqishme estetike.

Ciklet e krijimtarisë, në përmbledhjet e tij poetike, vijnë mjaft të integruara, përmes frymës dhe linjave paralele të ndërtimit poetik dhe estetik, të krijimit në kohë dhe hapësirë të ndryshimeve.

Kjo linjë e përvijuar fund e krye, poetin e ka nxjerrë deri te arritjet që poezia e tij shkon gjithmonë duke u përsosur, kështu që paraqiten formësime të imazheve në trajtat e ndryshme më të shkurta, si psalmi dhe himni te poezia “Kush është Arbëri?” sikur edhe më vonë, te cikli “Jetë e përmbysur”, por nuk mungojnë as ato formësime të imazheve si elegji (Humazh për Arbenin), si krijime edhe ato formësime tjera me një strukturë të ndërthurjes së katarsisit dramatik dhe tragjik, ku dallon qasja poetike rrënjësisht nga ajo lirike tradicionale, moderne dhe univerzale, që përfshin letrat në të cilat mungon subjekti i autorit.

Si autor i dymbëdhjetë veprave me poezi, prozë, roman, dramë, kritikë, ai u nënshtrohet formave e modeleve paracaktuese, e sforcon rrëfimin dhe këmbëngul të gjakojë ndonjë ide madhore; sjell përmes imazheve figurëshmëri të gjallë, simbole, frymën që zbret brenda gjendjes shpirtërore, ai e lë të lirshme rrjedhën e rrëfimit që ta përcaktojë e ta drejtojë rrëfimin në një rrafsh të caktuar të linjave paralele.

Kjo vërehet si nga fillimi i krijimeve artistike në vargje, po ashtu edhe në fund të tregimeve, ku në vend të mbylljes, hapet mundësia e rifillimit të rrëfimit nga ana e lexuesit.

“Dhe shkronje Arbri”, botuar nga “Jeta e re”, sikur edhe te përmbledhja e dytë me poezi ”Imazh kohe”, që përfshinë  periudhën rreth 40 vjeçare të tij, apo ‘Thjerrëz”, libri i radhës.

Proza “Imazhi i ngrirë” (roman) të këtij autori po cilësohet me rrëfim burimor e të mëvetësishëm, me çka ai dallohet nga prozatorët e këtij zhanri paraprak tradicional dhe atë bashkëkohor.

Qasja sa e veçantë  te dramaturgjia dhe e natyrshme e objektit artistik, trajtimi dhe shqiptimi kompleks i dramës (dramatikes) te drama ”Azgani&Ylberi(a)” së jetës konkrete dhe i dramës (dramatikes) së botës shpirtërore të njeriut; thyerjet (katarsisi) shtresimet –  ngrehinat ndërtimore e të rrëfimit, sa të veçanta, aq edhe unike, aq edhe të papërsëritshme, që ndërlidhen e kushtëzohen natyrshëm mes veti; mjeshtëria e ngjizjes së shtresimeve të shumta e të ndryshme të rrëfimit dhe mënyra e të shprehurit, që mbërrihet nëpërmjet këtij rrëfimi cilësor që shtrihet në një platformë unike tredimensionale me romanin “Imazhi i ngrirë”.

Ramadani është i unifikuar ngushtë me rrëfimin epik të vetë; me botën poetike që reflekton e përfton si strukturë gjuhësore, si mesazh i imazhit poetik, si akt krijues, për të “është një ankth dhe tronditje e brendshme që kërkon të shfaqet, të shndërrohet në fjalë”.

Pikërisht në procesin e krijimit ai e ndien qenësinë dhe plotninë e vet si krijues; e ndien dhe është në gjendje ta shprehë atë nëpërmjet artit:

Te proza, Ramadani përdorë një trajtë të veçantë të rrëfimit, nëpërmjet së cilës sjell imazhin e personazheve në të kaluarën, ku bëhet gjurmimi në rrafshin thelbësor të botës konkrete dhe të botës së brendshme të personazheve.

Thellësinë e vëzhgimit e hedh  jeta, duke ballafaquar këto bota dhe marrëdhëniet dhe konfliktet midis tyre në rrëfimet e tij shpalosen shtresat më të fshehta të shpirtit të njeriut.

Për këtë arsye njohësi i mirë i krijimtarisë së këtij autori s’e ka vështirë ta dallojë imazhin e tij edhe kur ai nuk është i pranuar me emrin e tij.

Pra, në rrëfimin e Nijaziut rrënohet perceptimi dhe shqiptimi i zakonshëm i botës dhe i dukurive të saj.

Ky rrënim nuk nënkupton çrregullimin, kaosin e rrëfimit, por mundësinë e ekzistimit të ndryshëm të dukurive, të ndjenjave e të veprimeve, bashkë-ekzistimin në të njëjtin rrafsh ose në rrafshe të ndryshme.

Autori i vëzhgon mëdyshjet e njeriut, tundimet që i ndodhin në jetën e përditshme, ku poetikisht shpalosen, nga një anë, çastet e prehjes e të lumturisë dhe, nga ana tjetër, trazimi, brenga, dhimbja, fati tragjik; shmangia dhe ngurtësim te  vetvetja ose mospërfillja e asaj që e zhbën jetën, nëpërmjet artit të fjalës, mesazhit imazhit poetik, letërsia është kronikë e kohës.

“Letërsia e vetmja sfidë që njeriu ka mundur t’i bëjë deri më sot fuqisë së saj rrënuese”, siç thuhet…ngërthen strategjinë e gjurmimit etik dhe etnisë, shtresat e fshehta të njeriut, e zbulimit të asaj që mund të jetë e rëndësishme si njohje dhe si përvojë jetësore.

Ramadani e vështron brenda kodit etik njerëzor, shoqërore dhe kombëtar, ku shkrimtari është pjesë e atij realiteti; edhe libri i tij i kushtohet dhe ekziston mirëfilli në rrafshin kombëtar: Fundi i fundit ky është problemi si qenie njerëzore, si individ njerëzor dhe krijues.

Bota, që autori e bën objekt trajtimi poetik në tregimet e veta, shtjellohet nëpërmjet strukturës gjuhësore të menduar, nga e cila dalin kuptime të ndryshme dhe krijohet një nëntekst poetologjik i pasur.

Rrëfimet e tij janë realë për arsye se ngarendin pas të mundshmen; atë që ka mundur të ndodhë ose mund të ndodhë;  janë të nxitura nga jeta e jashtme dhe e brendshme e njeriut, nga bashkë-ekzistimi i tyre, por dhe nga jeta e vetë autorit.

Për këtë arsye rrëfimi i tij është rrëfim jetësor; është plot e përplot jetë, jetë dinamike dhe dramatike, se nëpërmjet tij shpaloset më plotësisht kuptimi dhe qenësia e jetës reale.

Edhe në këtë rrafsh Ramadani përvijon strategjinë tradicionale të rrëfimit në prozën dhe dramën shqipe, te romani ”Imazhi i ngrirë”, ku nëpërmjet realitetit konkret e të marrëdhënieve midis njerëzve dhe etnive shpaloset bota e brendshme e personazheve.

Rruga që ndjek ai është e kundërt: bota e brendshme mundëson njohjen e mirëfilltë të jetës e të veprimit konkret të njeriut, kushtëzon depërtimin në shtresat më të fshehta dhe njohjen e të dy botëve: asaj shpirtërore dhe asaj jetësore (konkrete), që në tregimet e tij bëjnë një botë unike të vetme./mediafokus.info