Nisin përgatitjet për “Flakën e Janarit” 2020

Në Gjilan kanë filluar tashmë përgatitjet për manifestimin më unik mbarëkombëtar në trojet shqiptare, “Flaka e Janarit” që organizohet në nderim të sakrificave shekullore të këtij populli dhe patriotëve të tij, në rrugëtimin e pamundur për liri e mëvetësi nga pushtues të ndryshëm.

Bordi drejtues i manifestimit “Flaka e Janarit” e ka miratuar programin e këtij aktiviteti kulturor,  i konceptuar në katër shtyllat e tij kryesore, duke synuar që përmes vlerave të artit, t`i rikujtojë heronjtë e janarëve të përflakur dhe të përgjakur shqiptarë, nëpër shekuj.

“Flaka…2020” do të ketë ndryshime cilësore te secila shtyllë e saj.

Festivali i Dramës Kombëtare “Talia e Flakës”, që përbën njërën nga shtyllat kryesore të manifestimit, mbledhë në Gjilan trupa teatrore nga të gjitha trojet shqiptare, të cilat ndiqen me interesim të jashtëzakonshëm nga publiku. Vetëm në Gjilan ka ndodhur që publiku t`i thyej dyert e teatrit për t`u futur në programin e “Talias…”.     

Pjesë e “Flakës së Janarit” janë edhe Festivali i muzikës popullore “Fest Faka”, sikurse edhe arti letrar “Pena e Flakës” e arti pamor “Peneli i Flakës”, pastaj akademia tradicionale, koncerti i muzikës klasike si dhe aktivitete të tjera përcjellëse.

Rezultatet e konkursit letrar shpërblyes, si rëndom  shpallen në Orën e madhe letrare, nga fundi i manifestimit.

Manifestimi “Flaka e Janarit” është sinonim i respektit dhe nderimit edhe të familjeve të heronjve dhe dëshmorëve. Shqiptarët kanë bërë një rrugëtim të gjatë dhe me plot dhembje deri në ditët e sotme.

Edhe manifestimi i sivjetmë pritet të tubojë në Gjilan mijëra artistë e artdashës nga të gjitha trevat shqiptare, të cilët për tri javë rresht do ta shndërrojnë këtë qytet të Kosovës, në një kryeqendër të kulturës shqiptare.

“Flaka e Janarit” e bën Gjilanin një identitet kulturor unik në hapësirat shqiptare. /Mediafokus/