Nisma e do PDK-në në Qeveri

Zëvendëskryeministrja Albulena Balaj-Halimaj është shprehur se Partia Demokratike e Kosovës duhet të jetë pjesë e Qeverisë Hoti.

Ajo ka thënë se për shkak të nevojës për unitet në dialog me Serbinë dhe për shkak të aktakuzave ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe të parit të PDK-së, Kadri Veseli, duhet të ketë bashkim të PDK-së në qeveri me LDK-në, AAK-në e Nismën.

“Ne e kemi qëndrimin se edhe PDK-ja duhet të jetë pjesë e kësaj qeverie. Për shkak se ne duam të jemi unik përballë Serbisë me dialog dhe secili subjekt politik që i bashkohet kësaj ideje që qëllimi kryesor të jetë njohja mes dy shteteve të jemi më të qëndrueshëm dhe bashkuar”, ka thënë ajo.

Në një intervistë për KosovaPress, Balaj-Halimaj, që vjen nga radhët e Nismës, ka thënë se partneri tjetër i Qeverisë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nëse nuk i beson më qeverisë duhet t’ia heqë besimin ose të mos bashkëpunojë më me ta, pas deklaratave të kësaj të fundit sa i përket çështjes së dialogut me Serbinë.