Një bankë në Ferizaj sulmohet me mjete plasëse

Sot në mëngjes, rreth orës 5:45, persona të panjohur deri më tani, kanë sulmuar një bankë në Ferizaj, me qëllim që ta plaçkisin. Sulmi është kryer me mjete plasëse, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.

Lajmin e ka konfirmuar për media majori Muhamet Jahiri nga policia në Ferizaj.

Sipas tij, tre persona të dyshuar janë munduar që me anë të shpërthimit me mjete plasëse të vjedhin para në këtë bankë, mirëpo nuk kanë arritur t’i marrin ato.

Ai po ashtu tha se ende nuk ka person të arrestuar, mirëpo policia është duke u marr me rastin.

“E konfirmoj që sot në orën 5:45 të mëngjesit në rrugën ‘Vëllezërit Gërvalla’, nga tre persona të dyshuar është tentuar të vidhet banka. Janë përdorur mjete plasëse, dhe nuk kanë arritur të vidhen para. Për momentin nuk ka të arrestuar. Ndërsa policia është ende duke hetuar rastin”, ka thënë Jahiri.