Një i pandehur në Gjilan do të gjykohet pas 15 vitesh për ‘vrasje në tentativë’

Gjykata Themelore në Gjilan ka nxjerrë aktvendim për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditë ndaj të pandehurit I. S., i cili akuzohet nga Prokuroria e atëhershme e Qarkut në Gjilan, për veprën penale “vrasje në tentativë” e kryer në vitin 2005.

I akuzuari iu është shmangur organeve të ndjekjes, ashtu që fillimisht është pezulluar procedura ndaj tij, për shkak të mos prezencës dhe njëkohësisht është bërë kërkesë për caktimin e paraburgimit PPH.nr. 141/2005, të datës 12.08.2005, ndaj të njëjtit është konfirmuar aktakuza me datë 09.11.2009, derisa ka qenë në mbajtje të dënimit për një vepër tjetër penale, e që nga atëherë është shmangur ftesave të gjykatës, edhe pse shqyrtimi gjyqësor është caktuar me datë 12.05.2012, por që në mungesë të tij është shtyrë, ashtu që me 25.03.2015 është lëshuar urdhër për sjellje me dhunë, ndërsa me datë 10.09.2015 është bërë kërkesë për lëshimin e letër rreshtimit ndërkombëtar.

Me datë 12.08.2020, i akuzuari është arrestuar nga Policia e Kosovës dhe është sjellë para gjykatësit, me ç’rast është mbajtur seanca për shqyrtim gjyqësor, i akuzuari nuk e ka pranuar fajësinë dhe në mungesë të të dëmtuarit dhe dëshmitarëve, seanca është shtyrë për datë 07.09.2020, thuhet në një njoftim nga Gjykata.