Një nëndegë e LDK’së reagon ashpër kundër VV’së, pas orkestrimit për linçim të Lutfi Hazirit

Nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri, përmes një statusi në profilin e tij në Facebook, e ka mbrojtur mbrëmë mikun e tij dhe nënkryetarin tjetër të kësaj partie, Agim Veliu, pas linçimit publik që iu bë nga simpatizantët e Vetëvendosjes.

Por, linçimit publik nuk i ka shpëtuar as Haziri, pasi aktivistët e LVV’së, në grupin #meKryeministrin, kanë bërë thirrje që të veprojnë njësoj, sikur ndaj Isa Mustafës.

Me këtë rast, nëndega 2 Korriku e LDK’së në Gjilan, ka reaguar ashpër.

“Jemi thellësisht të indinjuar me orkestrimin nga anëtarët, mbështetësit e VV-së, për ta linçuar publikisht kryetarin Lutfi Haziri. Ne iu bëjmë thirrje strukturës organizative të VV-së, që t’i ndalë menjëherë këto linçime sepse ju nuk do të mbërrini askund, pos përçarje në këtë kohë të gjendjes së jashtezakonshme të shëndetësisë”, thuhet në reagimin e kësaj nëndege, raporton Mediafokus.info.

“Ne si nëndegë 2 Korriku e dënojmë këtë linçim dhe jemi mbrapa kryetarit për gjithë punën e mirë, pasi me përvojën 30-vjeçare, ishte dhe mbetet në shërbim të qytetarëve, ku nga ta mori besimin me votë, andaj nuk lejojme që autoriteti i kryetarit të nëpërkëmbet”, thuhet në reagim./Mediafokus.info/