Njëqind vjeçares nuk i pëlqen veshja e sotme, nuk po dihet kush është burrë e kush është grua

Xhezide Alija nga Stançiqi i Gjilanit kishte shkuar te të afërmit e saj në Kumanovë, nga ku edhe ka folur për sekretin e jetëgjatësisë së saj. Ajo është 104-vjeçe dhe është në gjendje të mirë fizike, sa nuk ka fare nevojë për syze dhe as nuk e ka fare problem t’i përshtatet teknologjisë.

Gjyshja ka mbijetuar katër lufta, ka 60 pasardhës, duke përfshirë pesë fëmijët e saj, nipër e mbesa, stërnipër e stërmbesa, raporton portali Lajme Javore.

Ajo vazhdon të ketë një memorie të shkëlqyer. Sekreti i jetëgjatësisë së saj, ajo thotë të jetë puna e pandërprerë, ushqimi modest dhe i shëndetshëm.

“Kam kaluar gjithë jetën duke ngrënë bukë misri, domate, qepë, lakër dhe qumësht delesh”, thotë ajo.

Xhezidja thotë se jeta nuk është e keqe sot, por nuk i pëlqen mënyra se si vajzat e reja vishen. Sipas saj, gratë duhet të jenë ndryshe nga burrat.

“Veshja e tashtit nuk më pëlqen aspak, por çfarë të bëj. Vajza duhet të vishet si vajzë, gruaja – si grua, burri – si burrë. Sot nuk dihet nëse është vajzë, nuse apo burrë”, thotë gjyshe Xhezidja. /MediaFokus/