Njëra nga dy pengjet në Cyrih, ishte një grua nga Kamenica

Hetimet për dramën e përgjakshme të pengjeve që kishte ndodhur në Cyrih, në maj të vitit 2019, janë mbyllur. Sipas prokurorit publik dhe policisë kantonale, bëhej fjalë për një vepër që kishte ndodhur mes personave që ishin në marrëdhënie partneriteti, shkruan sda.ch.

Në maj të vitit 2019, shtetasi zviceran me prejardhje kroate kishte mbajtur peng ish-të dashurën e tij (34) dhe shoqen e saj të dhomës (38) në Döltschiweg në Cyrih-Wiedikon, transmeton albinfo.ch.

Pastaj, Ante S. (60) premtoi të dorëzohej pas tre orësh. Në vend të kësaj, ai vrau dy gratë dhe veten.

Njëra nga viktimat e krimit të rëndë ishte një shqiptare e Kosovës. Bëhet fjalë për gruan 34 vjeçe me inicialet I.S., me prejardhje nga Kamenica.

Këtë njoftim e ka dhënë për albinfo.ch një familjar i I.S., nën kushte anonimiteti. Ai nuk deshi të jepte më shumë informacione rreth rastit përveç se e konfirmoi se I.S. ka bashkëjetuar një kohë me 60 vjeçarin, vrasësin e saj dhe të 38 vjeçares M.S.

Pas më shumë se një viti, hetimi ka përfunduar, meqë autori i krimit ka bërë vetëvrasje.

Edhe para krimit, Ante S. kishte kërcënuar, ndjekur dhe terrorizuar ish-të dashurën e tij për një kohë të gjatë.

Në atë kohë, zyra e prokurorit publik të Cyrihut thotë se ajo qysh nga mesi i prillit kishte bërë një ankesë në policinë e qytetit kundër vrasësit të saj të ardhshëm, përcjell albinfo.ch.

Në atë kohë, ishin shqyrtuar masat për mbrojtje nga dhuna por ishin refuzuar sërish. Më pak se një muaj më vonë, ndodhi rasti i pengmarrjes, me një përfundim fatal.